30 DITË BURG DHE 200 EURO GJOBË PËR DËSHMITARIN I CILI REFUZOI TË JAP DËSHMINË NË RASTIN E TERRORIZMIT

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në foltoren e gjykatores së Gjykatës Themelore në Ferizaj, Fitim Lladrovci u thirr për të dhënë dëshminë e tij në çështjen penale për terrorizëm, mirëpo, ai doli nga gjykatorja me një dënim prej 30 ditësh burg dhe 200 euro gjobë. “Nëse dëshmoj në këtë Gjykatë frigohem nga Allahu” u shpreh Lladrovci para trupit gjykues, të kryesuar nga gjykatësi Ibrahim Idrizi. E për këtë refuzim, gjykata i shqiptoj Lladrovcit dënimin e lartëpërmendur, duke e njoftuar poashtu dëshmitarin se dënimi me burg ka mundësi të zgjatet në qoftë se i njejti përsëri refuzon të japë dëshminë e tij.

Fitim Lladrovci u thirr në këtë gjykatë për të dhënë një dëshminë e tij për rastin ndaj të akuzuarit Musa Ademi, i akuzuar për veprën penale “rekrutimi për terrorizëm”. Përveç tij, në këtë seancë ka qenë e paraparë që të dëgjohej edhe dëshmitarja Minire Heta për të cilën gjykatësi Ibrahim Idrizi, konstatoi se familjarët e saj kanë njoftuar se ajo gjendet jashtë vendit. Rreth kësaj çështje, gjykata kishte kërkuar edhe verifikim nga policia por ende nuk kanë marrë ndonjë konfirmim me shkrim.

Pas dështimit për dëgjimin e dy dëshmitarëve, në këtë seancë mbrojtësi i Musa Ademit, avokati Bekim Sylejmani i propozoi trupit gjykues që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak ose me dhënien e dorëzanisë. Por një propozim i tillë i’u refuzua mbrojtjes përmes aktvendimit të trupit gjykues.

Për këtë rast, në seancën e rradhës pritet që të dëgjohen edhe disa dëshmitarë të tjerë.

Ky shqyrtim gjyqësor po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sipas të cilës Musa Ademi duke filluar nga viti 2012 e tutje, në Kosovë, vazhdimisht i ka bërë thirrje personave tjerë që të marrin pjesë në aktivitetet e organizatës “ISIS” në shtetet e Lindjes së Mesme. Sipas aktit të akuzës, i pandehuri ka bërë propagandë intensive verbale, gjatë kontakteve personale, si dhe përmes internetit (facebook, email, viber, skype) ku ka dërguar informata dhe fotografi lidhur me aktivitetet terroriste të kësaj organizate. Njëkohësisht prej burimeve të ndryshme ka siguruar fonde materiale për të, ashtu që me datë 7 gusht 2013 tani të ndjerit Blerim Heta dhe Faton Ivaja të cilët vet i ka rekrutuar , personalisht i’u ka blerë biletat dhe i ka dërguar në Siri. Në aktakuzë përshkruhet që Blerim Heta me datë 25 mars 2014 ka kryer akt terrorist vetëvrasës në Irak duke vrarë 52 njerëz, ndërsa Ivaja ende gjendet në Siri ku merr pjesë në aktivitetet terroriste. Prokuroria pretendon se me datë 15 maj 2014, i akuzuari e ka organizuar shkuarjen në Siri të Fitim Lladrovcit dhe Nexhdet Berishës i cili në momentin e fundit ka ndërruar mendjen dhe nuk ka shkuar, kurse Fitim Lladrovci si pjesëtar i ISIS-it në Siri ka qëndruar rreth pesë (5) muaj dhe tani gjendet në vuajtje të dënimit për aktivitetet e tij terroriste.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë