250 euro gjobë ndaj shtetasit egjiptian i cili përmes malit kishte hyrë ilegalisht në Kosovë

Raporton: Samire BINAJ

Prizren-  Gjykata Themelore në Prizren, këtë të premte ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit M.B shtetas egjiptian duke e dënuar me 250 euro gjobë dhe si dënim plotësues, dëbimi i të akuzuarit nga territori i Republikës së Kosovës.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjykatësja Vjollca Buzhala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur i akuzuari M.B është dënuar me 250 euro gjobë dhe si dënim plotësues dëbimi i të akuzuarit nga territori i Republikës së Kosovës në kohëzgjatje prej 1 viti.

Gjithashtu, i akuzuari obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 20 euro, si dhe shumën prej 30 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.

Mirëpo, gjykimi ndaj të akuzuarit M.B ka përfunduar në një afat rekord, i akuzuari me 3 gusht 2022 sipas aktakuzës pretendohej se kishte kaluar kufirin e Kosovës ilegalisht, ndërsa të njëjtit me 4 gusht 2022 Prokuroria Themelore në Prizren i kishte ngritur aktakuzë.

Seanca për të njëjtin ishte mbajtur një ditë pas ngritjes së aktakuzës, pra me 5 gusht 2022, në të cilën seancë i akuzuari M.B kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohej.

Pas pranimit të fajësisë në po të njëjtën ditë, Gjykata Themelore në Prizren kishte shpallur aktgjykimin dënues.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, më 4 gusht 2022, i akuzuari M.B më 3 gusht 2022, akuzohet se ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës përmes pjesës malore mbi vendkalimin kufitar të Vërmicës.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari M.B kishte kaluar në këmbë pikën kufitare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, në mënyrë të paautorizuar dhe jashtë vendkalimit zyrtar.

Sipas aktakuzës, i njëjti pasi futet në territorin e Kosovës zbulohet dhe ndalohet nga patrulla e Policisë së Kosovës për mbikëqyrjen e kufirit.

Me këto veprime po akuzohej se ka kryer veprën penale “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” nga neni 140 paragraf 1 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme sipas këtij Kodi dënohet me 250 euro gjobë ose me burgim deri në 6 muaj./BetimipërDrejtësi

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë