21 kandidatë garojnë për drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsion, intervistimi i tyre nis në nëntor

Raporton: Mirvet THAQI

Prishtinë- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të premten ka miratuar listën prej 21 kandidatëve, të cilët do të vazhdojnë procedurat e rekrutimit për pozitën e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK).  

Intervistimi i kandidatëve për pozitën e drejtorit të AKK-së do të fillojë më 29 nëntor dhe pritet të vazhdojë për gjashtë ditë me radhë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Grupi punues i themeluar për shqyrtimin e aplikacioneve, ka konstatuar se nga gjithsej 25 kandidatë që kishin aplikuar për këtë pozitë, 21 prej tyre i kanë plotësuar kushtet ligjore për të vazhduar tutje, ndërsa katër të tjerë nuk kanë përmbushur kriteret ligjore.

Për këtë, anëtari i grupit punues Driton Selmanaj, deklaroi se kandidatët që sipas vlerësimit të këtij grupi nuk kanë përmbushur kushtet ligjore, do të njoftohen nga sekretaria e kuvendit me arsyet se pse nuk janë përfshirë në këtë listë.

Shqyrtimi dhe vlerësimi i aplikacioneve të këtyre kandidatëve është bërë nën monitorimin e shoqërisë civile dhe përfaqësuesve nga Ambasada e Britanisë së Madhe.

Ndryshe, Agjencia Kundër Korrupsion aktualisht ka mbetur pa drejtor, ngase ish-drejtorit të saj Shaip Havolli i ka skaduar mandati në shtator të këtij viti.

Ligji për Agjencinë Kundër Korrupsionit ka përcaktuar se gjashtë muaj para skadimit të mandatit të drejtorit të kësaj agjencie, komisioni informon Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të fillohen procedurat për zgjedhjen e drejtorit të ri.

Sipas paragrafit 4, të nenit 8 të këtij ligji, përcaktohet se procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve më të mirë menaxhohen nga komisioni, ndërsa dy prej të cilëve janë vlerësuar si më të suksesshëm i propozohen kuvendit për votim.

Kurse, në paragrafin 5 të dispozitës së lartcekur theksohet se Kuvendi i Kosovës zgjedh njërin nga kandidatët e propozuar, me votim të thjeshtë dhe me shumicë të thjeshtë të votave.

Sipas ligjit, drejtori i kësaj agjencie zgjidhet për një mandat pesë vjeçar dhe ka të drejtë të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

Fillimisht Kuvendi i Republikës së Kosovës kishte hapur konkursin për pozitën e Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsion më 20 maj, mirëpo për shkak se nuk kishte aplikuar asnjë kandidate grua, komisioni për legjislacion kishte vendosur që i njëjti të përsëritet. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë