200 EURO GJOBË PËR TË AKUZUARIN PËR POSEDIM TË NARKOTIKËVE

Raporton : Verona KADRIU

Ferizaj – I pandehuri Fatjon Shala i akuzuar për veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotropike apo analoge”, të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj u dënua me gjobë në shumë prej 200 euro.

Shpallja e aktgjykimit ndaj Shalës u bë pasi që gjyqtarja individuale e çështjes Hysnije Gashi, konstatoi se palët në procedurë, konkretisht i akuzuari Fatjon Shala me mbrojtësin e tij avokatin Bekim Sylejmani dhe prokurori i shtetit Visar Musa kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë. Palët me marrëveshjen e tillë kishin rekomanduar gjykatës dënimin me gjobë në shumë prej 200 euro, i cili dënim u aprovua nga ana e gjyqtares së çështjes Hysniije Gashi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Fatjon Shala akuzohej për veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotropike apo analoge”, sepse më 16 mars 2015, në parkun “Liria” në Ferizaj, i pandehuri derisa ishte me një veturë të cilën e drejtonte K.Xh gjatë kontrollës te i pandehuri i kishin gjetur substancë narkotike të llojit kokain të përzier me benzokain, Fenacetin, Lidokain dhe Levamisol/Tevamisol 1.53 x 0.0001 gram, të cilën e posedonte në mënyrë të paautorizuar.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë