200 euro gjobë dhe tre muaj burgim me kusht ndaj të akuzuarit për vjedhje të energjisë elektrike
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – I pandehuri Adem Ademaj të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj u dënua me 200 euro gjobë si dhe tre muaj burgim me kusht për veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale. Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtarja individuale e çështjes, Hysnije Gashi.
Ademaj, në shqyrtimin fillestar, lidhur me fajësinë për veprën penale që akuzohej pranoi fajësinë, ndërkaq shtoi se këtë e ka kryer për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Ai po ashtu kërkoi nga gjykata që me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit t’i shqiptoj një dënim sa më të butë, duke i premtuar gjykatës së më nuk do të përsërisë vepra të tilla.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj akuzonte të pandehurin Adem Ademaj për veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”, sepse nga data e pacaktuar deri më 20 dhjetor 2013 në shtëpinë e tij në Shtime, është konstatuar se i njejti është furnizuar me energji elektrike në mënyrë ilegale, duke dëmtuar KEDS-in në shumë prej 156,80 euro.