200 euro gjobë dhe gjashtë muaj burgim me kusht ndaj të akuzuarit për vjedhje

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – I pandehuri Selim Guniqi, pas pranimit të fajësisë, u dënua me gjashtë muaj burgim kusht dhe 200 euro gjobë me kusht për veprën penale “vjedhja”. Dënimi nuk do të ekzekutohet nëse tani i dënuari nuk kryen vepër penale brenda periudhës kohore prej një viti.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtari individual i çështjes Mustaf Tahiri, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të shtetit Veton Shabani, lidhur me fajësinë i akuzuari deklaroi se është fajtor dhe e pranoi fajësinë për veprën penale e cila i rëndohej me aktin akuzues. Ai shtoi se është e vërtëtë që ka vjedhur pesëmbëdhjetë metra drunjë në oborrin e të dëmtuarit Sokol Sahiti. Tani i dënuari në fund deklaroi se është penduar për atë që ka kryer dhe kërkoi nga gjykata që t’i shqiptoj një dënim sa më të butë, pasi që tha se është edhe i gjendjes së dobët ekonomike dhe i papunë, ndërsa është mbajtës i familjes pesë anëtarëshe.

Gjyqtari individual, Tahiri me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit deklaroi se ka pasur parasysh rrethanat lehtësuese, siç janë gjendja e dobët ekonomike e të pandehurit, pranimi i fajësisë dhe personaliteti i tij.

Ndërkaq i dëmtuari Sokol Sahiti, për kompensimin e dëmit u udhëzua në kontest civil.

Atakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ngarkonte të pandehurin Selim Guniqi për veprën penale “vjedhja”, në fshatin Topillë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë së luajtshme të tjetrit, duke përdorur kamionetën e tij, ka vjedhur në shtëpinë e të dëmtuarit Sokol Sahiti rreth pesëmbëdhjetë metra dru dhe i ka dërguar në shtëpinë e tij.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë