2 vite e 5 muaj burgim ndaj policëve të akuzuar për keqtrajtimin e dy të ndaluarve

Raporton: Denisa JASHARI

Ferizaj-  Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj zyrtarëve policorë Adnan Ramadani, Afrim Rexhepi, dhe Mehmet Beqaj, duke i dënuar me 2 vite e 5 muaj burgim, për akuzat se në stacionin policor në Shtime kanë keqtrajtuar të dëmtuarit Dijamant Hetemi dhe Arben Ademi gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, nga gjyqtari i çështjes Shabi Idrizi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Ramadani dhe Rrexhepi për veprën penale në bashkëkryerje “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” u dënuan me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 3 muaj (secili veç e veç).

Të njëjtit, për veprën penale në bashkëkryerje “lëndim i rëndë trupor” u dënuan me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 7 muaj (secili veç e veç). Kurse, për veprën penale në bashkëkryerje “lëndim i lehtë trupor” u dënuan me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 3 muaj (secili veç e veç).

Ndaj të njëjtëve u shqiptua dënimi unik në kohëzgjatje nga 1 vit burgim, për secilin veç e veç.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Beqaj për veprën penale në bashkëkryerje “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe veprën penale në bashkëkryerje “lëndim i lehtë trupor” u dënua me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 5 muajve (150 ditë).

Ndërsa, për pikën II të kësaj aktakuze, për veprën penale në bashkëkryerje “lëndim i rëndë trupor”, i njëjti është liruar nga akuza.

Të dëmtuarit janë udhëzuar që kërkesat pasurore-juridike t’i realizojnë në kontest civil.

Gjykatësi Idrizi bëri të ditur se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afatin e paraparë ligjor.

Sipas aktakuzës, më 6 tetor 2019, në oborrin dhe zyrën e intervistimit të Stacionit Policor në Shtime, të akuzuarit Adnan Ramadani, Afrim Rexhepi dhe Mehmet Beqaj duke i keqpërdorur detyrat dhe autorizimet e policit, kanë keqtrajtuar, frikësuar dhe fyer rëndë dinjitetin e të dëmtuarve Dijamant Hetemi dhe Arben Ademi

Në aktakuzë thuhet se zyrtarët policorë tani të akuzuarit, e kishin ndaluar Hetemin në momentin kur ky i fundit ishte duke e drejtuar automjetin e tij në qytet me një shpejtësi të rrezikshme, ku pastaj ishte urdhëruar që të shkojë pas automjetit të policisë në Stacionin Policor të Shtimes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kur i dëmtuari Hetemi kishte arritur në oborr të stacionit dhe kishte dalë nga automjeti për tu sqaruar me ta, këta oficerë të policisë- tani të akuzuarit, pa pasur nevojë, pa paralajmërim dhe në kundërshtim me autorizimet ligjore dhe rregullat tjera të policisë kishin filluar ta godasin me shuplaka, grushte dhe shqelma të dëmtuarin Hetemi, derisa ky i fundit bie në tokë.

Në akuzë thuhet se më pas, me shuplaka, grushte dhe shqelma kishin filluar ta godasin edhe të dëmtuarin Ademi, pasi që ky i fundit kishte dalë nga vetura dhe kishte shkuar në drejtim të këtyre oficerëve për t’i penguar këta oficerë për të mos e goditur edhe më tutje të dëmtuarin e Hetemi.

Tutje, këta oficerë policorë, thuhet se të dy të dëmtuarit i kishin prangosur dhe i kishin futur në zyrën e intervistimit dhe aty kishin vazhduar t’i godasin me grushte dhe shqelma, me ç’rast të dëmtuarve u kishin shkaktuar edhe lëndime trupore si ato që janë përmendur në dispozitivin II të kësaj aktakuze.

Me këtë, në bashkëveprim ngarkoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit II. të kësaj aktakuze, në kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin I. të kësaj aktakuze, thuhet se të akuzuarit në gjendje të afektit mendor, të vënë pa fajin e tyre në gjendje të tronditjes së rëndë mendore të shkaktuar nga sulmi, keqtrajtimi dhe fyerja e rëndë nga ana e palës së dëmtuar, i kanë shkaktuar lëndim të rëndë trupor të dëmtuarit Ademi.

Aktakuza thotë se tre të akuzuarit e kishin goditur me shuplaka, shkop të policisë, grushte dhe shqelma në fytyrë, kokë dhe pjesë tjera të trupit të dëmtuarin Ademi, kur ky i fundit kishte dalë nga vetura dhe kishte shkuar në drejtim të tyre me pozicion sulmi, për t’i penguar të akuzuarit, për të mos e goditur edhe më tutje të dëmtuarin Dijamant.

Kështu, sipas akuzës, të akuzuarit, të dëmtuarin Arben Ademi, më pas e kishin prangosur bashkë me të dëmtuarin Dijamant Hetemi e kishin futur në zyrën e intervistimit dhe aty vazhdojnë ta godasin me shuplaka, grushte dhe shqelma, me ç’rast të njëjtit i shkaktojnë lëndime të rënda trupore në formë të thyerjeve të skajit të përparmë të trupit të mandibullës, thyerjeve të qafës të mandibullës në të dy anët me dislokim, thyerjeve të kockës nazale dhe frakturë e vjetër e zgjatimit transferzal të majtë të L1 pa shenja të tjera për ndryshime traumatike në kolonën vertebrale TH-LS-.

Për këtë, ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186, paragrafi 7, nën paragrafi 7.1. lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi 1.3. dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Tutje, sipas dispozitivit III. të kësaj aktakuze në ditën, kohën, vendin e njëjtë dhe për motivet e përmendura si në dispozitivin I. të kësaj aktakuze, të akuzuarit i kanë shkaktuar lëndim të lehtë trupor të dëmtuarit Dijamant Hetemit, në mënyrë që të tre këta të akuzuar, pa pasur nevojë, pa paralajmërim dhe në kundërshtim me autorizimet ligjore dhe rregullat tjera të policisë kishin goditur me shuplaka, grushte dhe shqelma të dëmtuarin Hetemi, derisa ky i fundit kishte rënë në tokë.

Kështu, të dëmtuarin Hetemi, më pas e kishin prangosur dhe bashkë me të dëmtuarin Ademi, e kishin futur në zyrën e intervistimit dhe aty kishin vazhduar ta godasin me grushte dhe shqelma, me ç’rast të njëjtit i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore në formë të përdredhjeve të unazës së qafës, me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Me këtë, ngarkoheshin se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4. lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë