2 vite burgim me kusht ndaj dy të akuzuarve për dëmtimin e objektit të Qeverisë

Raporton: Ermira HOXHA

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka dënuar me dënim unik me nga 1 vit burgim me kusht Fidan Hisenin dhe Lumni Salihin.

Ata akuzohen se më 2016 morën pjesë në turmën para objektit të Qeverisë dhe me sjellje huligane kanë hedhur gurë, mjete piroteknike dhe koktej molotovi, duke dëmtuar objektin e Qeverisë së Kosovës, zyrtarët policorë, qytetarë e prona private.

Bashkë me ta akuzohet edhe Besnik Ruhani i cili në seancën fillestare të mbajtur më 10 nëntor 2021 është deklaruar i pafajshëm, ndërsa gjykata kishte veçuar procedurën penale për të akuzuarit Hiseni dhe Salihi, pasi këta dy të fundit kishin pranuar fajësinë.

Aktgjykimi në fjalë u shpall të enjten nga gjykatësi Adnan Kamberi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit Hiseni dhe Salihi për veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” janë dënuar me 1 vit 3 muaj burgim me kusht.

Ndërsa, për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” ata janë dënuar më 6 muaj burgim me kusht.

Më pas, gjykata për secilin veç e veç ka shpallur dënimin unik prej 1 vit burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës verifikuese prej 2 vitesh të akuzuarit nuk kryejnë vepër tjetër penale.

Hiseni dhe Salihi, janë obliguar që secili veç e veç të paguajnë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 30 euro për paushallin gjyqësor dhe 30 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.

Pala e dëmtuar për realizmin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 10 nëntor 2021, prokurori Arianit Salihu ka bërë edhe riformulimin e aktakuzës ashtu që ka bërë ndarjen e veprave penale në dy dispozitiva.

Sipas aktakuzës së ngritur më 15 shkurt 2018, Fidan Hiseni, Lumni Salihi dhe Besnik Ruhani, veç e veç po akuzohen se më 9 janar 2016, në Prishtinë, në sheshin “Nëna Terezë”, para objektit të Qeverisë, kanë marrë pjesë në turmën e mbledhur dhe me veprimet e përbashkëta, pas përfundimit të fjalimit të përfaqësuesve të partive opozitare VV, AAK dhe Nisma ka eskaluar gjendja.

Më pas, sipas aktakuzës, në këtë turmë kanë marrë pjesë mijëra qytetarë dhe të akuzuarit, me sjellje huligane kanë hedhur gurë, mjete piroteknike dhe koktej molotovi, me ç’rast kanë shkaktuar dëme të mëdha në objektin e Qeverisë, si dhe kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm në drejtim të policisë, duke dëmtuar zyrtarë policorë, qytetarë dhe prona private.

Për këtë, Fidan Hiseni, Lumni Salihi dhe Besnik Ruhani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” nga neni 412, par.2 të Kodit Penal, që parasheh dënimin me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Si dhe për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365, par.1 të Kodit Penal, që parasheh dënimin me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë