18 muaj burgim pasi pranoi se kultivoi kanabis në tavan dhe bodrum të shtëpisë në Gjakovë

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë I akuzuari M.S është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim pasi që e ka pranuar fajësinë se ka kultivuar 25 bimë kanabis në tavanin dhe bodrumin e shtëpisë së tij në Gjakovë.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, nga gjykatësi Drilon Haraçia.

Gjykatësi Haraçia tha se konfiskohen edhe bimët narkotike dhe pajisjet për krijimin e laboratorit.

Ai i njoftoi palët se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes kësaj gjykate, brenda afatit ligjor.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se nga data e pavërtetuar e deri më 30 korrik 2020, rreth orës 10:45, në Gjakovë, pikërisht në bodrumin e shtëpisë së tij, i akuzuari M.S, pa autorizim ka kultivuar dhe mbajtur substancë narkotike të llojit marihuanë dhe atë me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope.

Tutje sipas aktakuzës, gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet tjera përcjellëse në bodrumin e shtëpisë janë gjetur 14 bimë narkotike kanabis sativa me gjatësi prej 90 cm deri 160 cm, të mbjella në vazo në një dhomë e cila ishte modifikuar si laborator me ndriçim të posaçëm rregullator të rrymës, matës të temperaturës, dhe flutura për ajrosje, si dhe në tavanin e kësaj shtëpie janë gjetur 11 bimë narkotike kanabis sativa që ishin në proces të tharjes, ashtu që nga ekzaminimi i kryer i mostrave të tyre, kanë rezultuar të jenë të llojit marihuanë.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës, ose bimëve të kanabisit” nga neni 272, paragrafi 1 i Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në 10 vjet./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë