16 muaj burgim për Valdet Berishën  për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë – Me 16 muaj burgim është dënuar Valdet Berisha, zyrtar i gjendjes civile në Fshatin Jashanicë të Komunës së Klinës, i akuzuar për dy vepra penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘falsifikim i dokumentit zyrtar’.

I akuzuari Valdet Berisha dhe avokati mbrojtës Ndrecë Dodaj, më 22 qershor 2016 kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me prokurorin e çështjes Agim Kurmehaj.

Duke qenë se palët me vullnetin e tyre u pajtuan me kushtet e vendosura në marrëveshje, gjykata mori aktvendim për pranim të marrëveshjes për pranim të fajësisë dhe kushteve të vendosura në të nga palët.

Ky gjykim është zhvilluar para gjyqtares Lumturije Muhaxheri, e cila përveç dënimit me burgim, të akuzuarit Berisha i shqiptoi edhe gjobën në shumën prej 100.00 euro, në emër të shpenzimeve procedurale.

Në lidhje me vuajtjen e dënimit, gjyqtarja Muhaxheri e njoftoi të akuzuarin Berisha se në lartësinë e dënimit, do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Të akuzuarit Valdet Berisha më 21 prill 2016 i është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa pas vendimit të Gjykatës së Apelit kjo masë i është zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak.

Ndryshe, sipas pretendimit të prokurorisë i akuzuari Valdet Berisha në periudhën kohore 2013-2016, si zyrtar i gjendjes civile në Fsh. Jashanicë, KK Klinë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete. Këtë e bënë duke përpiluar dhe lëshuar ekstrakte të lindjes me përmbajtje të rreme, duke ndryshuar të dhënat e identitetit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë