150 euro gjobë ndaj të akuzuarit për vjedhje pylli

Foto, Gjykata Podujeve, 7 (2)
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Nëntor 19, 2020

Podujevë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, është shpallë aktgjykimi dhe është dënuar  me 150 euro gjobë, i akuzuari Berat Halili për veprën penale “vjedhje pylli”.

Dënimin e shqiptuar me gjobë, i akuzuari obligohet ta paguaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njejti është ngarkuar edhe me shpenzimet e procedurës dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

E dëmtuara, për të realizuar kërkesën pasurore-juridike është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil.

Ky aktgjykim u shpall, pasi në gjykimin e sotëm i akuzuari e pranoi fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë.

“E pranoj fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohem, është hera e parë që jam në gjykatë, drutë i kam bartë për nevoja personale, kërkoj nga gjykata një dënim sa më të butë dhe premtoj se nuk do të përsëritet”, deklaroi i akuzuari Halili.

Pranimin e fajësisë së tij nuk e kundërshtoi prokurori Fatmir Behrami dhe më pas e aprovoi gjykatësi Gazmend Bahtiri.

Ndryshe, sipas aktakuzës së datës 17.08.2020, Berat Halili akuzohet se me datën 17.04.2020, rreth orës 13:52, në Rajonin Pyjor të Komunës së Podujevës, në vendin e quajtur “Te vorret e Zhegrove”, i pandehuri me qëllim të vjedhjes në pyll, ka prerë 9 copë trungje të llojit ahu, me dimensione të gjata 14 m, me diametër 20, 22, 24, 28 cm, me vëllim të përgjithshëm prej 2.66 m3  , me ç’rast të dëmtuarës Autoritetit Pyjor të Podujevës, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 359 euro.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli” nga neni 349 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi