13 vjet pas ngritjes së aktakuzës, prokuroria heq dorë nga ndjekja penale ndaj të akuzuarit për korrupsion

Foto (5)
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Korrik 18, 2018

Prishtinë – Plotë 13 vjet pas ngritjes së aktakuzës ndaj Kushtrim Pecit, për përvetësim të mbi 21 mijë eurove, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka vendosur që tërhiqet nga ndjekja penale ndaj tij.

Në seancën gjyqësore të mbajtur për këtë rast, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori Hivzi Bajraktari është tërhequr nga ndjekja penale ndaj Pecit, me arsyetimin se nuk është arritur të provohet kryerja e veprës penale nga ana e të akuzuarit.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e bëri të ditur, mbrojtësi i Pecit, avokati Xhafer Maliqi.

Aktakuza ndaj Pecit ishte ngritur qysh në vitin 2005.

Ky rast kishte filluar të gjykohej nga ana e gjykatëses Hava Haliti, mirëpo pasi që e njëjta kishte kaluar në Gjykatën e Apelit, rasti i ishte ndarë gjykatësit Beqir Kalludra, i cili në seancën e kaluar, kishte thënë se që nga koha kur e kishte marrë lëndën, vetëm një seancë ishte caktuar për tu mbajtur, por që i akuzuari Peci kishte munguar.

Në seancën e fundit që ishte mbajtur për këtë rast, më 25 qershor të këtij viti, prokurori Bajraktari kishte deklaruar se mbetet prapa fjalës hyrëse që kishte dhënë para gjykatëses Haliti,  si dhe kishte propozuar që të konsiderohen si të lexuara dëshmitë e dëshmitarëve dhe palëve të dëmtuara.

Mirëpo, me këtë propozim të prokurorit nuk ishte pajtuar Xhafer Maliqi, mbrojtës i të akuzuarit Kushtrim Peci, pasi që sipas tij, i dëmtuari Bennet Manning dhe dëshmitarja Mardelë Manning duhet të dëgjohen përsëri në gjykatë.

Trupi gjykues pas këshillimit, kishte vendosur që të aprovojë propozimin e prokurorit Bajraktari, për leximin e dëshmive të dëshmitarëve, ndërsa për dëshmitarin Shaip Gashi, për të cilin nga fletë kthesa thuhet se ka ndërruar jetë, gjykatësi Kalludra kishte thënë se do të kujdeset që në mënyrë zyrtare të marrë një informatë konkrete për këtë rast.

Ndryshe, Ish-Prokuroria Publike e Qarkut kishte ngritur aktakuzë ndaj Kushtrim Pecit më 7 nëntor 2005, me pretendimin se i njëjti kishte kryer veprën penale “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës”.

Sipas kësaj Prokurorie, Peci akuzohet se më 20 nëntor 2003 sa ishte në cilësinë e agjentit mobilar të NNT “Ameriteckt” dhe si përfaqësuesi i autorizuar i agjencisë së patundshmërisë “Kosova Estate”, me qëllim të përvetësimit apo përfitimit kishte marrë 21,550 euro.

Peci pretendohet se nga blerësi i një paluajshtshmërie, Sami Gashi, në emër të arkëtimit të këstit të tretë për blerjen e banesës në Prishtinë, nga kompania  NNT “Ameritect” në shumë prej 21,550 euro, në vend se këto para t’i derdh në xhirollogarinë bankare të të dëmtuarës, kompanisë në fjalë, i kishte përvetësuar për vete.

Me këtë ai thuhet se kishte kryer veprën penale “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës “nga neni 340 i KPPK-së.