13 mijë e 400 euro gjobë ndaj të akuzuarit për kontrabandim me migrantë

198038510_271076831374884_1146018479681565117_n
Author

Raporton: Ermira HOXHA

Qershor 10, 2021

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 13,400 euro gjobë të akuzuarin për veprën penale “kontrabandim me migrantë”, Sami Qitaku.

Ai akuzohej edhe për veprën penale “krimi i organizuar”, mirëpo për këtë vepër, Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale në seancën e mbajtur më 9 qershor 2021.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Musa Konxheli, sipas të cilit, fillimisht i akuzuari Qitaku është dënuar me 6 muaj burgim, por me pëlqimin e të njëjtit, ky dënim iu zëvendësua me gjobë në shumë prej 3,400 euro.

Ndaj tij, gjykata ka shqiptuar edhe dënim plotësues në shumë prej 10 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi.”

Në rast të mos pagesës së dënimit në tërësi apo pjesërisht, gjykatësi Konxheli tha se pjesa e mbetur e dënimit do t’i zëvendësohet me dënim me burg, duke i llogaritur 20 euro për një ditë burgimi.

Qitaku u ngarkua edhe me shpenzimet procedurale dhe atë, shumën prej 50 euro për paushallin gjyqësor si dhe shumën prej 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Sipas gjykatësit Konxheli, meqë palët kanë hequr dorë nga e drejta e parashtrimit të ankesës, ky aktgjykim merr formën e prerë.

Ndryshe, në këtë çështje penale akuzoheshin nëntë persona, Burim Krasniqi, Sabri Osmani, Bekim Beqiri, Shaban Krasniqi, Egzon Rrustemi, Milaim Agushi, Valmir Gashi, Ismet Rushiti dhe Sami Qitaku.

Mirëpo, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 3 dhjetor 2020 ishte veçuar procedura për Ismet Rushitin e Sami Qitakun, pasi të njëjtit ishin të paarritshëm për organet e drejtësisë. Kurse shtatë të akuzuarit tjerë, Burim Krasniqi, Sabri Osmani, Bekim Beqiri, Shaban Krasniqi, Egzon Rrustemi, Milaim Agushi dhe Valmir Gashi, ishin deklaruar të pafajshëm.

Por pas seancës fillestare, shtatë të akuzuarit kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me PSRK-në. Kështu, aktgjykimi ndaj tyre është shpallur më 25 janar 2021, me të cilin ata ishin dënuar me 66 muaj burgim dhe 47 mijë euro.

Ndërkaq, me rastin e shpalljes së aktgjykimit për të akuzuarin Qitaku, gjykata përsëri ka veçuar procedurën për të akuzuarin Rushiti, duke njoftuar se ndaj të njëjtit do të lëshohet letër rreshtim qendror.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 tetor 2013, thuhet se nga fillimi i vitit 2011 e deri më 9 korrik 2012 në Prishtinë dhe territorin e Kosovës,  Burim Krasniqi në bashkëveprim me personat tjerë, Sabri Osmani, Milaim Agushi, Bekim Beqiri, Shaban Krasniqi, Ismet Rushiti, Sami Qitaku dhe Egzon Rustemi dhe Sadat Murati dhe me të akuzuarit Lupco Stojanovcki, Halil Llamallari, Fazlija Kolic, Ekrem Emini, Sokol Sadiku nga Maqedonia, kishin vepruar si grup kriminal, duke kontrabanduar migrantë.

Në aktakuzë thuhet se Burim Krasniqi kishte qenë organizatori i grupit, pasi në podrumin e shtëpisë së tij në Çagllavicë të Komunës së Prishtinës dhe Ismet Rushiti në firmën e tij “Illi Disinge”, kishin prodhuar dokumente të falsifikuara si: pasaporta, kartela bankare, patentë shofer dhe letërnjoftime dhe për këto dokumente kishin kërkuar çmimin prej 800 euro deri në 1,200 euro.

Këto dokumente, sipas prokurorisë, ishin përdorur me qëllim të dërgimit të migrantëve në mënyrë ilegale nga Kosova në shtetet e Bashkimit Evropian.

Ndërsa, Sabri Osmani, Milaim Agushi, Shaban Krasniqi, Egzon Rrustemi, Bekim Beqiri dhe Sami Qitaku thuhet se kishin marrë pjesë në aktivitete kriminale të këtij grupit kriminal, duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontribuojë në kryerjen e kontrabandimit të migrantëve.

Ata thuhet se kishin kontaktuar me persona të ndryshëm të cilin dëshironin të dilnin në mënyrë ilegale jashtë Kosovës, duke u marrë vesh me ta për çmimin e dokumenteve dhe për udhëtimin.

Tutje, thuhet se të njëjtit pas marrëveshjes, personat e dëmtuar i kishin kaluar nëpër Serbi e pastaj sipas radhës së pritjes i kishin kaluar në këmbë deri e Hungari, duke i shpërndarë me vetura deri në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian, për të cilat udhëtime kishin kërkuar çmimin prej 2,400 deri 2,700 euro për person.

Kështu, në aktakuzë thuhej se Burim Krasniqi, Sabri Osmani, Milaim Agushi, Shaban Krasniqi, Egzon Rrustemi, Bekim Beqiri, Sami Qitaku dhe Ismet Rushitin kanë kryer veprën penale “krimi i organizuar”, lidhur me veprën penale “kontrabandimi me migrantë”.

Burim Krasniqi e Ismet Rushiti thuhet se kanë kryer edhe veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”, Valmir Gashi edhe atë “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”, pasi thuhet se e kishte ndihmuar Burim Krasniqin që të arratiset nga Kosova, ndërsa Milaim Agushi edhe veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shtija e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe e substancave psikotropike”.

Kjo pasi thuhet se ai kishte poseduar pesë qese substancë narkotike e llojit “marihuanë”, me qëllim që t’ia shiste dy personave të mitur K.B dhe S.R, ose t’i shkëmbente me gjësende tjera, ndërsa gjate bastisjes së shtëpisë së tij ishin gjetur 420 gram narkotikë të ndarë në dy qese, ku prej tyre 2.85 gramë ishte “lidokainë”, 2.03 gramë “propylphenazon” të përziera me “acetaminofen”, “kofeinë” dhe “lidokainë” dhe 334.87 gram “kanabis”. /BetimipërDrejtësi