Mungojnë të akuzuarit që ndihmuan ish-gjyqtarin Kolë Puka ta fsheh pasurinë e përfituar nga aktiviteti kriminal, dështon seanca

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Prishtinë- Mungesa e të akuzuarve Ilir dhe Kastriot Gegaj, Z,P, Kushtrim Ademi, Tomë Puka dhe përfaqësuesit të akuzës nga Prokuroria Speciale ka bërë që të dështojë seanca e shqyrtimit fillestar e paraparë që të mbahet këtë të martë, në Departamentin Special, të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Të pandehurit e lartcekur po akuzohen nga Prokuroria Speciale se kanë ndihmuar ish-gjykatësin e Klinës, Kolë Puka që pasurinë e tundshme dhe të patundshme të cilën e ka përfituar ky i fundit me mjetet financiare të përfituara me aktivitet kriminal i kanë marrë në posedim, duke mos i shfrytëzuar fare, e krejt kjo me qëllim që ta fshehin ose maskojnë mënyrën e përfitimit të pasurisë nga ana e ish-gjyqtarit Puka, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas gjykatëses Valbona Musliu-Selimaj, ky rast më parë ka qenë në Departamentin e Krimeve të rënda dhe se para dy muajsh ka kaluar në Departamentin Special.

Sipas, mbrojtësit të të akuzuarit Kastriot Gegaj, avokatit Ndue Thaqi si mbrojtje kishin bërë kërkesa për hudhje dhe kundërshtim te provave, po që nga gjykata nuk kishin marrë ndonjë vendim se a janë aprovuar apo refuzuar kërkesat e tyre.

Në këtë seancë nuk është paraqitur asnjë prokuror nga organi i ndjekjes edhe pse sipas gjykatëses Musliu-Selimaj ftesën e kanë pranuar me kohë.

Për të akuzuarin Ilir Gegaj, mbrojtësi i tij avokati Tahir Rrecaj ka njoftuar gjykatën përmes një parashtrese se i mbrojturi i tij gjendet me vendbanim në Australi dhe se nuk mund të paraqitet në këtë seancë.

Ndërsa, për të akuzuarin Ademi, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj ka thënë ai flete kthesën e ka pranuar por mungesën nuk e ka arsyetuar.

Në këtë seancë ka munguar edhe i akuzuari Tome Puka, ku sipas gjyqtares Musliu- Selimaj i njëjti nuk është paraqitur në seancë pasi që në flet kthesë është kthyer se i akuzuari Puka jeton në Gjermani.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Z.P, por që në fletë kthesë sipas gjykatëses Musliu- Selimaj është shkruar se i njëjti ka vdekur dhe se sipas saj, do të kërkohet një konfirmim nga zyra e regjistrimit civil.

Në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë është shtyrë për 3 shkurt 2022,  ku gjykatësja Musliu-Selimaj ka thënë se për të akuzuarit që jetojnë jashtë vendit gjykata do të lëshojë urdhëresë për verifikim adrese.

Sipas aktakuzës së ngritur në nëntor të vitit 2012, nga Prokuroria Speciale, Ilir Gegaj, Kastriot Gegaj, Z.P, Kushtrim Ademi dhe Tomë Puka akuzohen se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për të akuzuarin në raste tjera Kolë Puka, ish- gjyqtar në Gjykatën Komunale në Klinë kanë ndihmuar që të fshihet pasuria e këtij të fundit e përfituar kundërligjshëm.

Tutje, sipas aktit akuzues të pandehurit duke i ditur këto rrethana i kanë ndihmuar ish-gjyqtarit Puka në atë mënyrë që pasurinë e tundshme dhe të patundshme, të cilën e ka përfituar me mjetet financiare të përfituara me aktivitet kriminal, i kanë marrë në posedim duke mos i shfrytëzuar fare me qëllim që ta fshehin ose maskojnë mënyrën e përfitimit të pasurisë nga ana e ish-gjyqtarit Puka.

Aktakuza thotë se të akuzuarit e lartcekur përmes kontratave fiktive, padive fiktive kanë marrë në posedim pasuri dhe atë duke përfshirë (banesa, vetura, ngastra kadastrale, ngastra kadastrale në Ulqin etj), gjithnjë duke tentuar të fshehin pasurinë që ka përfituar ish-gjyqtari Kolë Puka.

Ish- prokurori special Ali Rexha me ngritjen e kësaj aktakuze i ka propozuar gjykatës që të konfiskohen asetet e përfituara nga ish- gjyqtari Kolë Puka e që janë tentuar të fshiheshin nga të akuzuarit e lartcekur.

Më këtë aktakuzë ish- prokurori Rexha ka kërkuar që të konfiskohen: Patundshmëria në Ulqin- Mal i Zi në sipërfaqe prej 308 m2 ndaj të pandehurit Ilir Gegaj, Banesa në Klinë 72 m2 dhe Vetura Audi A6 ndaj të pandehurit Kastriot Gegaj, Patundshmëria në Ulqin 171 m2 ndaj  të pandehurit Z.P, Shtëpinë 2 katëshe , truall në Klinë, lokalin afarist prej 39.86 m2 në Klinë ndaj të pandehurit Tomë Pukaj.

Sipas aktakuzës, të pandehurit e lartcekur akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Shpëlarjes së Parave” nga neni 32 pika 2.5 dhe 2.6 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit”, e cila vepër penale më parë ka qenë e sanksionuar me nenin 10.2 të rregullores së UNMIK-ut 2004/2.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë