10 muaj burg me kusht dhe 400 euro gjobë për të akuzuarin për përdorim të armës dhe armëmbajtje pa leje

IMG_0913
Author

Raporton: Blinerë BEKA

Qershor 10, 2021

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten e ka dënuar me 10 muaj burgim me kusht dhe 400 euro gjobë, të akuzuarin për përdorim të armës dhe për armëmbajtje pa leje, Fidan Abdullahu.

Për veprën penale të përdorimit të armës, Abdullahu u dënua me 10 muaj burgim me kusht kurse për armëmbajtje pa leje u gjykua me 400 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deri te ky aktgjykim i shpallur ndaj tij nga gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni erdhi pasi që paraprakisht, Abdullahu e pranoi fajësinë për këto vepra penale.

Por, një gjë të tillë, ai e bëri vetëm pasi që prokurorja Besa Limani e ricilësoi veprën penale të përdorimit të armës.

Fillimisht, pas leximit të aktakuzës, gjykatësja Hasaj-Hyseni e pyeti të akuzuarin nëse ndjehet fajtor për çka po akuzohet.

“Fajtorë jam unë që e kom përdorë armën, por me kërcënu se kom kërcënu askënd dhe nuk ia kam rreziku jetën askujt”, tha Abdullahu.

Ai tha se në kohën kur kishte shtënë me armë, lokali kishte qenë bosh dhe nuk kishte njerëz afër tij, ndërsa shtoi se qëllimi i tij nuk kishte qenë frikësimi apo kërcënimi, por për shkak se ishte frikësuar për vëllain e tij dhe për vete.

“Aty ka pas mosmarrëveshje, nga frika mos po ma sulmojnë vëllain, unë kam shtënë”, tha Abdullahu.

Pas këtyre deklaratave të tij dhe duke qenë se në aktakuzë përdorimi i armës është i lidhur me frikësimin, gjykatësja kërkoi që të bëhet saktësimi i aktakuzës meqë siç tha, në aktakuzë përdorimi i armës është i lidhur me frikësimin, ndërkaq frikësimi sipas të akuzuarit nuk ka ekzistuar.

Duke marrë parasysh rrethanat, prokurorja Besa Limani njoftoi gjykatën se në fakt, dëshmitarët kanë dhënë deklaratë se i akuzuari Abdullahu ka shtënë me armë por që kërcënimi dhe frikësimi nuk kanë ekzistuar.

Pasi që gjykatësja tha se ajo është e mendimit që të bëhet ricilësimi i veprën penale, prokurorja Limani ka bërë ricilësimin e aktakuzës për veprën penale të përdorimit të armës, ashtu që nga neni 367 paragrafi 2, për të cilin akuzohej fillimisht Abdullahu e i cili nen parasheh dënim maksimal deri në 10 vjet, vepra u kualifikua sipas nenit 367 paragrafi 1, ku dënimi maksimal parashihet të jetë tetë vjet.

“Edhe nga deklaratat e dëshmitarëve okular që kanë qenë ditën kritike rezulton se i akuzuari Fidan nuk ja ka drejtuar asnjërit armën por ka shtënë në drejtim të xhamave të lokalit dhe në drejtim të dyshemesë”, tha prokurorja duke arsyetuar ricilësimin.

Sipas kësaj që u tha, në aktakuzë u bë heqja e fjalëve “në mënyrë kërcënuese” dhe “me qëllim të frikësimit” nga aktakuza, ndërkaq pjesa tjetër mbeti e njëjtë.

Pas ricilësimit të aktakuzës, Abdullahu pranoi fajësinë për të dy veprat penale.

“Pom vjen marre edhe sot që jom këtu për këtë gjë, i premtoj gjykatës që më asnjëherë nuk do të kryej më vepër penale, kërkoj një dënim sa më të butë”, deklaroi i akuzuari Abdullahu.

Edhe prokurorja Limani u pajtua me këtë pranim të fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 19 maj 2021, Fidan Abdullahu akuzohej nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se me 24 gusht 2011, rreth orës 00:55, në lokalin “XXL” në rrugën “Skëndërbeu” në Podujevë ka përdorë armën në mënyrë kërcënuese.

Në bazë të aktakuzës, Abdullahu derisa ishte duke luajtur me letra me dëshmitarët Blerim Kadriu, Luan Abdullahu, Fatmir Ahmeti, Behar Ahmeti dhe Fadil Bogujevci krijohet mosmarrëveshje dhe fjalosje mes Blerim Kadriut dhe vëllait të të akuzuarit Luan Abdullahut, pas së cilës i akuzuari Fidan Abdullahu ka nxjerrë revolen e kal.7.62mm nga çanta, me numër serik 68855 dhe me qëllim të frikësimit ka shtënë dy herë në xhamat e lokalit, një herë në dysheme dhe njëherë në drejtim të xhamave të lokalit.

Për këtë veprim të tij, ai akuzohej nga prokuroria se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367 par.2 i Kodit Penal.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Abdullahu po akuzohet se nga viti 2008 në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi armë në kundërshtim më ligjin, përkatësisht një revole të kalibrit 7.62mm, M57, me numër serik 68855, me mbishkrimin SFRJ, një karikatorë dhe dy fishek.

Për këtë, Fidan Abdullahu akuzohej se ka kryer veprën penale, “Mbajtja në pronësi të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi