1 vit e 6 muaj burgim efektiv ndaj të akuzuarit i cili në tejkalim të vetëmbrojtjes theri një person me thikë

19 korrik 2021 foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Korrik 19, 2021

Pejë – Me 1 vit e 6 muaj burgim efektiv është gjykuar i pandehuri Avdi Ahmeti, pasi pranoi fajësinë se për shkak të borxhit prej 120 euro që ia kishte të dëmtuarit Çlirim Ramaj, këtë të fundit, në tejkalim të vetëmbrojtjes, e kishte therur me thikë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarit Ahmeti do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe atë, nga 30 maj 2021 deri në ditën e sotme, i cili u lëshua në liri.

Po ashtu, ndaj të pandehurit u shqiptua masa e konfiskimit të thikës dhe detyrimin që i njëjti të paguaj shpenzimet procedurale në shumë prej 100 euro.

Ndryshe, pasi aktakuza e prokurores Valbona Disha-Haxhosaj u konsiderua e lexuar me pajtim të palëve, i pandehuri është deklaruar i fajshëm për akuzat që i vihen në barrë.

Mbrojtësi i tij, avokati Arben Kelmendi tha se pranimin e fajësisë, klienti i tij e kishte bërë me vullnet, ndërsa në matjen e dënimit kërkoi që të merren parasysh rrethanat lehtësuese.

Në anën tjetër, prokurorja Haxhosaj kërkoi që ndaj të pandehurit të shqiptohet dënim i paraparë me ligj dhe si rrethanë rënduese të merret parasysh rrezikshmëria shoqërore, kurse si rrethanë lehtësuese pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurit.

Ndryshe, sipas  aktakuzës së ngritur më 14 korrik 2021, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Avdi Ahmeti po akuzohet se më 31 maj 2021, rreth orës 20:20 në Pejë, duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, me thikë ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Çlirim Ramaj.

Sipas akuzës, në natën kritike, i pandehuri pasi ishte duke u kthyer në fast food ku punon, takohet me të dëmtuarin Ramaj dhe bisedojnë rreth një borxhi në shumë prej 120 euro, të cilin ia kishte i pandehuri të dëmtuarit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas bisedës, i pandehuri vazhdon rrugën ku me biçikletë i vihet nga pas i dëmtuari dhe kërkon që i pandehuri të ndalohet, dhe më pas i dëmtuari e sulmon me shqelma dhe grushte, me ç’rast i pandehuri duke vepruar në vetëmbrojtje, nxjerrë thikën nga xhepi dhe e therë të dëmtuarin dy herë në pjesën vitale të trupit.

Për këtë, ai akuzohet se duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, ka kryer veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë, nga neni 172 e lidhur me nenin 28, e lidhur me nenin 12 paragrafi 3 të KPRK-së.