1 muaj paraburgim ndaj të dyshuarit se në cilësinë e personit zyrtar ka ndërhyrë në sistemin kompjuterik të AKI-së

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit M.K, për pesë vepra penale.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për medie nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ku thuhet se gjykata aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në çështjen penale kundër të pandehurit M.K., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në njoftim thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të KPRK-së, “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 416 të KPRK-së, “Hyrja në sistemet kompjuterike” nga neni 327 të KPRK-së, “Zbulimi i informacioneve të klasifikuara” dhe “mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” nga neni 125 të KPRK-së dhe “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara” nga neni 202 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.K. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftim.

Tutje, gjykata njofton se të dyshuarit M.K. paraburgimi i caktohet në bazë të nenit 187 par 1 nen par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda është mirë e bazuar, në këtë fazë të procedurës”, thuhet tutje në njoftim.

M.K dyshohet nga Prokuroria se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbush detyrat zyrtare të tij, në atë mënyrë që pa autorizim ka ndërhyrë në sistemin kompjuterike të AKI-së dhe me këtë dyshohet se ka kryer veprat penale të cekura më lartë.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, thuhet në fund të njoftimit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë