1 muaj paraburgim ndaj njërit prej të dyshuarve për detyrim në prostitucion, për tjetrin refuzohet kërkesa për caktimin e kësaj mase

Raporton: Blerta BARKU

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit L.P, ndërsa për të dyshuarin B.H  kjo gjykatë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e kësaj mase, në rastin ku të njëjtit po dyshohen për mundësim apo detyrim në prostitucion.

Një vendim e tillë është marrë nga kjo gjykatë pas seancës dëgjimore të mbajtur të premten, raporton “Betimi për Drejtësi”

Sipas arsyetimit të gjykatës, ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, për të dyshuarin L.P për faktin se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën për të cilën po dyshohet dhe se ekziston rreziku i ikjes së tij.

“Gjykata gjeti se përmbushet kriteri nga neni 187, paragrafi 1, nën paragrafi1.2 pika 1.2.1 të KPPRK-së, ngase ekziston rreziku i ikjes së tij, pasi që dënimi që i kanoset të i shqiptohet e bën të besueshme faktin se i njëjti mund të i ikë përgjegjësisë penale duke mos ju përgjigjur thirrjes së organeve të drejtësisë”, thuhet në arsyetimin e gjykatës,

Po ashtu, në arsyetimin e gjykatës për ta caktuar masën e paraburgimit L.P për faktin se ekziston dyshimi i bazuar se mund të asgjësojë apo fsheh provat e veprës penale apo mund të ndikojë në dëshmitarë dhe po ashtu, pasi që i njëjti është pronar i lokalit ekziston mundësia që të përsërisë vepra të tilla  apo të ngjashme penale.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të dyshuarit L.P i caktohet paraburgimi, prej kohës së ndalimit më 20 tetor 2021 dhe do të zgjasë deri më 19 nëntor 2021.

Ndërsa, për të akuzuarën B.H kjo gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit e prokurorisë e ka refuzuar me arsyetimin se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën po dyshohet.

Në këtë rast ka qenë e përfshirë edhe e dyshuara A.B, e cila ishte arrestuar dhe pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, ndaj të njëjtës do të  zhvillohet procedurë e rregullt gjyqësore.

Ndryshe, sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit të 21 tetor 202, ndaj L.P, A.B dhe B.H ekziston dyshimi i bazuar se në vazhdimësi prej vitit 2018 deri më 20 tetor 2021 në lokalin “Empire Massage”, në rrugën “Muhamet Qami”, në Prishtinë, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje kanë organizuar, persona tjerë për qëllim të prostitucionit në atë mënyrë që e pandehura B.H ka pranuar shumën prej 50 euro me qëllim të ofrimit të shërbimit seksual ku të njëjtat para pasi që e njëjta është bastisur i janë gjetur në trupin e saj, ku për këtë ka ekzistuar marrëveshje paraprake me të pandehurin L.P dhe A.B si pronar të lokalit “Empire Masage”, në këtë mënyrë duke mundësuar aktivitetin e kundërligjshëm të prostitucionit.

Me këto veprime dyshohet se në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale “Mundësim ose detyrim në prostitucion” nga neni 234 par.1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal.

Tutje, në kërkesë thuhet se për të dyshuarit L.P dhe A.B ekziston dyshimi i bazuar se nga viti 2018 deri më 20 tetor 202, me dijeni kanë ofruar lokalin të cilin e mban me qira me mbishkrimin “Empire massage”, në rrugën “Muhamet Qami”, në Prishtinë me  qëllim të zhvillimit të  prostitucionit  apo mundësimit të prostitucionit.

Sipas kërkesës, më 20 tetor 2021 është kapur në flagrancë e pandehura B.H, e cila për një shërbim seksual ka marrë shumën prej 50 euro, ku të njëjtat para pasi që e njëjta është bastisur i janë gjetur në trupin e saj.

Me këto veprime, dyshohet se do të kishte kryer veprën penale “Ofrimi i lokaleve për prostitucion” nga neni 235 par 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë