1 mijë e 200 euro gjobë pasi pranoi fajin se mori pjesë në Komisionin për ndarjen e bursës për djalin e tij
Raporton: Adelina Ajeti
Gjilan – Berat Zuka, zyrtar kryesor financiar në Komunën e Vitisë, është dënuar me 1 mijë e 200 euro gjobë pasi e ka pranuar fajin se ka marrë pjesë në Komisionin për ndarjen e bursës për djalin e tij.
Aktgjykimi dënues ndaj Zukës është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Gjilan nga gjyqtari Islam Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit i pandehuri Berat Zuka është dënuar me 1 mijë 200 euro gjobë për veprën penale “Konflikt i interesit”, vendimi i cili do të ekzekutohet nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I akuzuari Zuka, gjatë shqyrtimit fillestar pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit Shaban Spahiu, është deklaruar fajtor për veprën penale për të cilën ngarkohet nga prokuroria.
Prokurori Spahiu si dhe avokati Idriz Syla nuk e kanë kundërshtuar pranimin e fajësisë.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Islam Thaçi ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit Berat Zuka, duke arsyetuar se pranimi i fajit nga ana e të pandehurit është bërë pas këshillimeve të mjaftueshme nga ana e mbrojtësit të tij, si dhe pranimi i fajit është bërë sipas aktit akuzues.
Tutje, seanca gjyqësore ka vazhduar me fjalën përfundimtare të prokurorit Spahiu, i cili ka thënë që në rastin konkret prokuroria nuk ka gjetur ndonjë rrethanë rënduese, ndërsa si rrethana lehtësuese të merret pranimi i fajësisë, pendimin për kryerjen e veprës penale dhe premtimin se në të ardhmen të mos kryej vepra të ngjashme.
Avokati Syla ka deklaruar që meqë i mbrojturi im në tërësi e ka pranuar veprën penale propozoj që me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit të i ketë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese.
I pandehuri Berat Zuka e ka mbështetur në tërësi deklaratën e mbrojtësit të tij.
Sipas aktakuzës, si zyrtar kryesor financiar në Komunën e Vitisë i pandehuri Berat Zuka, më datë 09.10.2020, duke qenë kryetar i Komisionit për ndarjen e bursave në Komunën e Vitisë, ka marrë pjesë në Komisionin prej pesë anëtarëve edhe personalisht në ndarjen e bursës edhe për djalin e tij S.Z., sipas konkursit të publikuar me datë 14.11.2019.
Me çka ka kryer veprën penale “Konflikt i interesit” nga neni 417 par. 1 lidhur me par. 3, 4 e 6 të KPRK-së, e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.