Zyrtari policor kundërshton aktakuzën që e ngarkon për keqpërdorim detyre

Fadil Surkishi
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Shkurt 12, 2018

Prishtinë – Zyrtari policor Fadil Surkishi, i akuzuar për keqpërdorur të detyrës zyrtare, në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë, duke e konsideruar atë si të pabazë.

Surkishi, akuzohet se në cilësinë e togerit të Stacionit Policor në Podujevë, ka keqpërdorur në vazhdimësi detyrën e tij zyrtare, gjatë periudhës kohore 2013-2014, me qëllim përfitimi të dobisë materiale për veten apo dikë tjetër, kishte ndikuar në dy raste të aksidentit në trafik, duke ndryshuar detaje rreth aksidentit dhe vendit të ngjarjes.

Mbrojtësi i Surkishit, avokati Sevdali Zejnullahu, ka deklaruar se prokuroria nuk ka argumentuar me prova, se i akuzuari me veprimet e tij ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës zyrtare”.

“E mbështesë kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të dorëzuara me shkrim dhe me konsideratë presim nga ana e gjykatës, që të njëjtën ta aprovoi si të bazuar, për arsye se të dhënat në përmbajtjen e saj do ta vërtetojnë që në veprimet e të mbrojturit tim, nuk kanë të bëjnë aspak me pretendimet e prokurorisë”, tha avokati Zejnullahu.

Prokurorja e rastit, Merrushe Llugiqi, ka deklaruar se aktakuza është e bazuar në prova, që sipas saj, do të vërtetojnë se i akuzuari e ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Kundërshtimet e mbrojtjes, ajo i ka konsideruar të pabazuara, duke kërkuar nga gjykata që të njëjtat t’i hedh poshtë.

“Ajo çka unë vërejtja është fakti se mbrojtja në kundërshtim për hedhjen e kësaj aktakuze nuk ka paraqitur dhe ofruar asnjë provë të lidhur me këtë çështje penale. Ne konsiderojmë se aktakuza e ngritur kundër të pandehurit Fadil Surkishi, për veprën për të cilën akuzohet përbën vepër penale, nuk ka asnjë pengesë që e pengon ndjekjen penale dhe ka dyshim të bazuar se i pandehuri e ka kryer këtë vepër penale. Të gjitha pretendimet e paraqitura në kundërshtime janë të pabaza dhe propozojmë që kundërshtimet e mbrojtësit të hedhen si të pabazuara dhe kalohet në shqyrtim gjyqësor për të vendosur në mënyrë meritore”, tha prokurorja Llugiqi.

Gjykatësi Shashivar Hoti, për kundërshtimet e mbrojtjes, ka deklaruar se do të vendosë jashtë seancës gjyqësore.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 3 janar të këtij viti, i akuzuari Fadil Surkishi, ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Fadil Surkishit më 16 nëntor 2017, me dyshimin se i njëjti kishte kryer në vazhdimësi veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” neni 422 paragrafi 1 i KPRK-së.

Surkishi dyshohet se kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim përfitimi të dobisë materiale për veten apo dikë tjetër.

Sipas aktakuzës, Surkishi në cilësinë e togerit dhe shefit të operativës në Stacionin Policor në Komunën e Podujevës, kishte ndikuar në dy raste të aksidentit në trafik, një në fshatin Dumnicë dhe një në Podujevë.

Surkishi, sipas prokurorisë, me qëllim kishte ndryshuar detaje rreth aksidentit dhe vendit të ngjarjes, përkundër faktit se dëshmitari Behxhet Gashi, nuk kishte qenë i pajtimit që ai ta bëj një gjë të tillë.

Surkishi pretendohet se kishte ndikuar edhe te zyrtari Fisnik Veseli, duke e detyruar të njëjtin të bëj ndryshime në raport dhe kallëzim penal, mirëpo Veseli kishte përpiluar po ashtu raportin e oficerit dhe kishte treguar arsyet e ndryshimeve në raportin policor dhe kallëzimin penal.