Zyrtarët policorë sërish deklarohen të pafajshëm

zenel telaku 1
Author

Raporton: Skender GOVORI

Qershor 15, 2017

Prishtinë – Dy zyrtarët policorë të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, sërish janë deklaruar të pafajshëm.

Zenel Telaku dhe Liri Bibaj, në shqyrtimin gjyqësor prapë kur janë pyetur nga kryetari i trupit gjykues lidhur me fajësinë, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen në barrë.

Pas mospranimit të fajësisë nga Telaku dhe Bibaj, seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës hyrëse nga prokurorja dhe mbrojtësit e të akuzuarve.

Prokurorja Dulina Hamiti, në fjalën hyrëse tha se me provat dhe dëshmitë që janë në aktakuzë dëshmohet fajësia e të akuzuarve.

Pas prokurores, fjalën hyrëse e ka dhënë avokati Rrahman Kastrati, mbrojtës i Zenel Telakut.

Ai ka thënë se me provat që i ka pasur deri më tani nga prokuroria nuk vërtetohet fajësia e të mbrojturit të tij. Ai ka shtuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor do ta vërtetohet pafajësia e klientit të tij.

Më pas fjalën hyrëse e ka dhënë avokati Sahit Bibaj, mbrojtësi i të  akuzuarit Liri Bibaj, duke thënë se provat për pafajësinë e të mbrojturit të tij i ka dorëzuar në gjykatë, por ato janë edhe në dosjen e prokurorisë.

Më pas seanca vazhdoi me administrimin e provave materiale në këtë proces gjyqësor.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me datën 13 korrik 2017, nga ora 13:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzon Zenel Telakun dhe Liri Bibajn se gjatë implementimit të kontratës për vendosjen e tualeteve statik dhe kontejnerëve për mbeturina nëpër regjionet e Policisë së Kosovës në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan në mes të kompanisë “MSS” nga Prishtina dhe Policisë së Kosovës, të njëjtit kanë shpërdorur detyrën zyrtare duke i sjellë përfitim pasuror kompanisë “MSS”, duke i bërë pagesa për shërbime të pa kryera.

Gjithnjë sipas aktakuzës i akuzuari Zenel Telaku, ka bërë aprovimin e kërkesës për pagesën e faturave kompanisë “MSS”, duke ia lejuar që t’i bëhet pagesa e shumës prej 4.503.00 euro për vendosjen e 285 tualeteve statike edhe pse kompania “MSS” nuk e kishte bërë vendosjen e tualeteve statike.