Vëllezërit Berisha tërhiqen nga masa e sigurisë ndaj deklaratës së ish-presidentes Jahjaga

Jahjaga 2
Author

Raporton: Diana BERISHA dhe Leotrim GASHI

Shkurt 14, 2018

Prishtinë – Paditësit Arben dhe Xhelal Berisha, në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë tërhequr nga masa e sigurisë ndaj deklaratave publike të ish-presidentes Atifete Jahjaga, lidhur me rastin e Shyhrete Berishës.

Jahjaga është paditur nga vëllezërit Berisha për shpifje, pasi që kishte deklaruar se e mbijetuara e masakrës së kësaj familje, Shyhrete Berisha, “është nxjerrë zvarrë nga shtëpia, ku kishte jetuar me burrin dhe fëmijët e saj”.

Përfaqësuesit e paditësve Xhelal e Arben Berisha, avokatet Shpresa Berisha-Rexhepi dhe Vahide Braha, kanë kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që Jahjagës t’i ndalohet shpifja dhe fyerja me përmbajtje lobuese si dhe të premtohet që shpifja të mos përsëritet në të ardhmen.

Vëllezërit Berisha, po ashtu kanë kërkuar që Jahjaga ta tërheq informacionin publik, të cilin ata e konsiderojnë si shpifës dhe fyes.

Vëllezërit Berisha, gjithashtu kërkojnë që gjykata që të demantohen deklarimet e Jahjagës, në afat prej tetë ditësh, pas pranimit të kërkesës, në të njëjtat faqe ku janë publikuar deklarimet e saj.

Ndryshe, përfaqësuesja e vëllezërve Berisha, avokatja Berisha-Rexhepi tha se gjykata ka dështuar në drejtim të marrjes së vendimit lidhur me caktimin e masës së sigurisë, meqë që nga data 11 shtator të vitit të kaluar, kur është ushtruar padia për shpifje, nuk është ndërmarrë asnjë veprim.

Berisha – Rexhepi, masën e sigurisë ndaj deklaratës së Jahjagës e quajti të panevojshëm pasi që  kanë kaluar 6 muaj që nga momenti i ushtrimit të kësaj mase dhe sipas saj kanë ndryshuar edhe rrethanat nga koha në të cilën ishte paraqitur propozimi i masës së sigurisë.

Mirëpo ajo e rezervoi të drejtën që në çdo kohë, në rast të paraqitjes së rrethanave të reja, të ushtrohet propozim i ri për caktimin e masës së sigurisë.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Jahjagës, avokati Arianit Koci tha se padia dhe propozimi për caktimin e masës së sigurisë është ushtruar pas afatit të lejuar ligjor dhe si e tillë është dashur të hudhet menjëherë.

Koci theksoi se nuk do të lëshohet fare në këtë çështje, pasi që vëllezërit Berisha u tërhoqën nga masa e sigurisë, megjithatë ai shtoi se jap pëlqimin për tërheqjen e masës së sigurisë ndaj Jahjagës.

Para mediave, Koci gjithashtu tha se kjo padi është krejtësisht e pabazuar, ndërsa deklarimi i Jahjagës, sipas tij, është opinion i saj i bazuar në fakte të njohura botërisht dhe të vërtetuara nga ana e gjykatës.

Shyhrete Berisha, e cila i ka mbijetuar masakrës së familjes Berisha, të datës 26 mars 1999 në Suharekë, ku iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, pas luftës ishte ballafaquar me një proces gjyqësor me kunetërit Arben dhe Xhelal Berisha, për të marrë gjysmën e shtëpisë që ajo pretendonte se i takonte.

Gjykata në Suharekë ia kishte njohur të drejtën e gjysmës së shtëpisë së banimit dhe gjysmën e paluajtshmërisë së pronës në Suharekë.

Mirëpo, kundër vendimit të Gjykatës në Suharekë, në Gjykatën e Apelit janë ankuar Arben dhe Xhelal Hoxha, duke e konsideruar vendimin e shkallës së parë si të padrejtë.

Ndryshe, shkalla e dytë deri më tani nuk ka ndonjë vendim lidhur me ankesën e vëllezërve Berisha.

Paditësit, përmes padisë së 11 shtatorit kanë kërkuar nga gjykata që ish-presidentja Atifete Jahjaga të ia kompensoi atyre shumën prej 250.000.00 euro, për shkak se të njëjtit pretendojnë se ish-presidentja ka shpifur dhe fyer ndaj familjes së tyre.

Bazuar në padinë e tyre, gjatë kohës në të cilën vëllezërit Berisha ishin të paditur në çështjen kontestuese me bashkëshorten e vëllait të ndjerë, Shyhrete Berisha, Jahjaga e ka trajtuar këtë çështje në fjalimin e saj për Javën e Gruas, më 20 mars 2017.

Paditësit pretendojnë se ish-presidentja Jahjaga, duke folur për mbrojtjen e të drejtave të gruas, “ka marrë shembull, kinse shkeljen e të drejtave” të Shyhrete Berishës nga ana e familjes së ish-bashkëshortit të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

“Si mundemi ne, respektuesit e kuotës së tridhjete përqindëshit, propozuesit dhe avokuesit për të drejtat e gruas, të lejojmë që një grua të tërhiqet zvarrë nga shtëpia e saj ku me vite ka grumbulluar kujtimet e më të dashurve të saj, që lufta-lufta për lirinë tonë ia mori padrejtësisht”, citohet si provë i padisë fjalimi i ish-presidentes, të dhënë në “Gazetën Express”.

Këtë fjalim të Jahjagës, paditësit e konsiderojnë si shpifje e paskrupullt, dhe cenim të reputacionit të dy paditësve dhe familjes Berisha në përgjithësi.

“E paditura ka prekë thellë ndjenjat, nderin e familjes duke e bërë qe ajo të përjetoj goditjen e dytë të rëndë morale, por tani jo nga agresori serb, por nga e paditura Atifete Jahjaga”, thuhet në një pjesë të paditëseve të vëllezërve Berisha.

Deklarimin e Jahjagës, se Shyhrete Berisha  “ishte tërhequr zvarrë nga shtëpia e saj”, paditësit përveç që e konsiderojnë shpifës e fyrës, pretendojnë edhe se në mënyrë të qëllimshme ka ndikuar në gjyqësor, duke marrë parasysh se kontesti në mes Shyhrete Berishës dhe vëllezërve Berisha ishte akoma në procedurë gjyqësore në shkallën e parë.

“Asaj është duke iu mohuar e drejta mbi pronën, bashkëndërtuese e së cilës ishte”, këtë deklarim të Jahjagës, paditësit e vlerësojnë se e njëjta ka marrë rolin e gjyqtarit paralel, duke e gjykuar çështjen paraprakisht.

Paditësit po ashtu pretendojnë se Jahjaga ka vazhduar me shpifje ndaj tyre, edhe më 6 korrik 2017, pasi që Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suahrekë ka vendosur për çështjen kontestuese.

“Të jemi më të zëshëm për të kërkuar drejtësi për të gjitha rastet, sepse Shyhrejta nuk është e vetmja që i është mohuar e drejta për të trashëguar pronën”.

Paditësit, provë për këtë kanë paraqitur një deklaratë të Jahjagës në gazetën “Insajderi”, të dhënë më 6 korrik 2017.

Paditësit pretendojnë se me këtë deklaratë Jahjaga ka ndërhyrë drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë, pasi aktgjykimi sipas tyre ende nuk e ka fituar formën e prerë.

Me padinë e tyre, Xhelal dhe Arben Berisha, kërkojnë nga Gjykata Themelore në Prishtinë që kërkesëpadia e paditësve të konsiderohet e bazuar dhe në emër të kompensimit material dhe jo material, të shkaktuar për shkak të shpifjes të ua shpaguaj shumën prej 250.00.00 euro.