Suspendohet zyrtari i KUR “Prishtina”, dyshohet se keqpërdori mbi 30 mijë litra naftë

KUR-Prishtina
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Shkurt 13, 2018

Prishtinë – Kompania e Ujësjellësit Rajonal  (KUR) “Prishtina”, e ka suspenduar referentin për lëndë djegëse M.B, pasi dyshohet se ai ka keqpërdorur mbi 30 mijë litra derivate të naftës.

Ky zyrtar (emri i të cilit është i njohur për redaksinë, por për shkak se rasti ende nuk ka përfunduar, atij do t’i referohemi vetëm me iniciale), është suspenduar pasi që komisioni për verifikimin e dokumentacionit dhe gjendjen reale të hyrje-daljeve të derivateve, ka konstatuar mospërputhje të sasisë së derivateve në rezervuarët e kësaj kompanie, me sasinë që është përshkruar në regjistrat e kontabilitetit.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka siguruar raportin që mban datën 5 shkurt të këtij viti, e që është nënshkruar nga tre anëtarët e komisionit, i cili kishte konstatuar mungesën e kësaj sasie në rezervuarët e KUR “Prishtina”.

Në raport ndër të tjerash thuhet se në bazë të të dhënave, të marra nga shërbimi i kontabilitetit, gjendja e sasisë së derivateve në regjistrin e fillimvitit 2017, ka qenë 48.709.00 litra.

Sipas këtij raporti, gjatë vitit 2017, janë bërë blerje në sasi prej 110.030.00 litra, ndërsa sasia e daljeve për vitin e kaluar, sipas raportit, është 133.072.92 litra naftë.

Më tutje, në raport thuhet se më 10 janar të këtij viti, gjatë furnizimit me derivate, janë bërë të hyra prej 33.000 litra, ku 2.000 prej tyre janë dërguar në objektin e Shajkovcit, dhe 31.000 litra të tjera janë dërguar në rezervuarët I dhe II në KUR “Prishtina”.

Fatura e furnizimit, thuhet se është sjell më 10 janar 2018 për sasinë 33.000 litra.

Pas verifikimit të daljeve të lëshuara nga personi përgjegjës për lëshimin e fletëdaljeve prej datës 28 dhjetor 2017 e deri më 30 janar 2018, janë ofruar 8 (1-8) blloka urdhërese depoje, me të cilat dëshmohen furnizimet e automjeteve. Sipas raportit, shuma totale e tyre është 11.991 litra.

Në këtë raport thuhet se komisioni ka vërejtur se diferenca në mes gjendjes në kontabilitet dhe matjes faktike në rezervuarët e KUR “Prishtina” dhe bllokave të daljeve që dëshmojnë furnizimet e automjeteve është 30.979.00 litra.

Pas interesimit të “Betimit për Drejtësi”, lidhur me këtë çështje, tek pas pesë ditësh, zyra për media e kësaj kompanie ka konfirmuar mungesën e kësaj sasie të naftës, pas së cilës kishte marrë masa edhe për suspendimin e përkohshëm të zyrtarit të saj, deri në përfundim të vlerësimit të gjendjes reale.

Në përgjigjet e kësaj kompanie thuhet se komisionet profesionale gjatë regjistrimit të stoqeve, në fund të vitit të kaluar, kanë bërë edhe analizat e raporteve të hyrjes dhe daljes së sasisë së karburanteve për vitin 2017.

Në këtë rast, sipas përgjigjes, ky komision ka hasur në mospërputhje të raporteve, ku pastaj nga menaxhmenti është ngritur një ekip profesional që edhe aktualisht janë duke punuar dhe vlerësuar situatën.

“Më 6 shkurt 2018, zyrtarisht kemi kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, konkretisht nga Agjencia Meteorologjisë, që të inspektohet gjendja teknike e pompës dhe rezervuarëve brenda selisë qendrore të KUR “Prishtina” sh.a. Më datë 8 shkurt, ekipi nga ky Agjencion iu përgjigjën pozitivisht kërkesës tonë. Më datë 12 shkurt 2018, kemi pranuar nga zyrtarët e Agjencisë së Meteorologjisë në kuadër të MTI-së një Raport/Rekomandim për gjendjen aktuale të pompës si dhe rekomandimet që të bëhet edhe kalibrimi i rezervuarëve. Tash jemi në pritje edhe të raportit nga komisioni i brendshëm, pastaj në bazë të rekomandimeve të tyre, menaxhmenti do të marr vendime të duhura konform ligjeve në fuqi”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të KUR “Prishtina”.