Shtyhet seanca në rastin e padisë për shpifje ku Krenar Gashi dhe KIPRED kërkojnë 21 mijë euro nga RTK-ja

images
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Shkurt 13, 2018

Prishtinë – Është shtyrë për muajin mars, gjykimi ku Radio Televizioni i Kosovës (RTK) dhe Donat Syla, po përballen me padi për shpifje dhe fyerje, të bërë nga paditësit, Krenar Gashi dhe Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED).

Seanca është shtyrë pasi që një gjë të tillë e ka kërkuar e paditura RTK, me anë të një kërkese të bërë më 8 shkurt të këtij viti.

Kërkesën për shtyrje të seancës, RTK e ka arsyetuar me faktin se përfaqësuesi i saj ligjor gjendet jashtë vendit.

Propozimin e RTK-së që të shtyhet seanca, nuk e kundërshtuan as përfaqësuesit e paditësve, avokatët Ahmet Hasolli dhe Gazmend Nushi.

Kësisoj, gjykatësi i rastit, Adnan Konushevci mori aktvendim që seanca e paraparë të mbahej të martën, të shtyhet për 26 mars 2018, nga ora 9.00.

Në anën tjetër, i padituri i dytë në këtë rast, Donat Syla, të cilit në padinë e tyre, paditësit i referohen si kryeredaktor përgjegjës i informacionit në RTK, tha se pasi që ka marr vesh se është paditur, ka biseduar me paditësin Krenar Shala, i cili siç tha Syla, i kishte thënë se “nuk ka asgjë me të”.

Në lidhje më këtë rast, Syla tha se kishin arritur një marrëveshje me paditësin Shala dhe në vitin 2012 ose 2013, të njëjtën e kishin dorëzuar në gjykatë.

Mirëpo, gjykatësi Konushevci, tha se këtë lëndë e ka trashëguar në muajin nëntor 2017 dhe se në shkresat e kësaj lëndë, nuk ka asnjë shkrese të cilën i padituri Syla thotë se e ka dorëzuar në vitin 2012 ose 2013.

Për këtë arsye, gjykatësi e udhëzoi Sylën, që brenda 10 ditësh ta përgatit një prapsim në lidhje me padinë dhe këtij prapësimi t’ia bashkëngjis të gjitha shkresat, të cilat Syla vlerëson se i shërbejnë për këtë rast.

Në korrik të vitit 2011, Krenar Gashi, ish-drejtor ekzekutiv i KIPRED-it si paditës i parë dhe KIPRED, si paditës i dytë, kishin ushtruar padi për shpifje dhe fyerje ndaj RTK-së dhe Donat Sylës.

Sipas padisë, e paditura RTK, në edicionet qendrore të lajmeve të transmetuara më 30 qershor dhe 1 korrik 2011, kishin transmetuar shpifje dhe fyerje ndaj Krenar Gashit dhe KIPRED-it.

Sipas padisë, në edicionin qendror të lajmeve të 30 qershorit 2011, RTK-ja kishte transmetuar një lajm në lidhje me një raport të organizatës Freedom House, e në të cilin thuhej se një nga përpiluesit e raportit ishte edhe Krenar Gashi,

Në lidhje me mënyrën e përpilimit të këtij raporti të Freedom House, RTK kishte thënë se ka kontaktuar edhe me Krenar Gashin, mirëpo sipas RTK-së, ky i fundit  nuk ka dashur të komentoi për mënyrën e matjeve që i bën organizata e tij për përpilimin e raporteve.

Mirëpo, sipas padisë, Gashi kishte pranuar të prononcohej për gjetjet e raportit, por për mënyrën e përpilimit të tij, gazetarin e kishte drejtuar në uebfaqen e “Freedom House”.

Për më tepër sipas padisë, gazetari nuk e kishte njoftuar Gashin se deklarata e tij dhënë përmes telefonit do të transmetohej në lajme.

Tutje, në padi thuhet se në edicionin e njëjtë të lajmeve, RTK kishte transmetuar një lajm në lidhje me një fjalim të mbajtur në Kuvendin e Kosovës të deputetes Xhevahire Izmaku, e ku sipas RTK-së, ajo kishte thënë se “raportet e Freedom House kanë si burime disa vendorë që nuk ia duan të mirën Kosovës”.

Këtë lajm të transmetuar në RTK, paditësit e kanë cilësuar si jo të saktë, pasi që sipas transkriptit zyrtar të seancës së kuvendit, deputetja Izmaku, nuk kishte thënë atë që ka transmetuar RTK-ja.

Në edicionin qendror të lajmeve, më 1 korrik 2011, RTK, sipas padisë, pasi që ka transmetuar pjesërisht një reagim të dërguar nga paditësit, ka transmetuar sërish të gjitha kronikat me shpifje ndaj paditësve.

Mos transmetimin e plotë të reagimit të tyre, paditësit e kanë cilësuar si shkelje të të drejtave civile për reagim të përkufizuar me nenin 13, paragrafi 1 të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes.

Me veprimet e argumentuara të të paditurve, paditësit pretendojnë se u është shkaktuar dëm i konsiderueshëm jo material, në formën e cenimit të rëndë të reputacionit publik dhe nxitjes së dhunës kundër tyre dhe fyerjes publike.

Andaj për këtë arsye, paditësit i kanë propozuar gjykatës që të merr aktgjykim ku do të vërtetohej padia e tyre dhe të obligon të paditurit, që të tërheqin informacionet shpifëse që ceken në padi si dhe në emër të kompensimit jo material, të paditurit të obligohen që paditësve t’iu kompensojnë shumën totale prej 21,000.00 euro.