Shtyhet seanca në rastin e padisë ndaj UP-së

Drita Konjusha
Author

Raporton: Erestina BUJA

Maj 25, 2017

Prishtinë – Është shtyrë seanca ndaj Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”, për arsye se si palë e paditur nuk kishte dhënë përgjigje në padi, për çka ishte detyruar nga seanca e kaluar.

Në bazë të këtyre rrethanave, ka dështuar shqyrtimi kryesor që ishte paraparë të mbahet të enjten, në Departamentin Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në seancë prezent ishte vetëm avokati Naser Sopjani, i autorizuari i 17 paditësve.  Kjo pasi që mungoi një përfaqësues nga pala e paditur, Universiteti i Prishtinës, e cila mungesë nuk është arsyetuar.

E paditura UP, është obliguar që në afat prej 30 ditësh t’i paraqes gjykatës përgjigje në padi dhe t’i paraqet të gjitha shkresat që kanë të bëjnë me këtë lëndë kontestuese.

Me këtë rast, gjykatësi Hajriz Hoti, konstatoi se seanca e radhës është paraparë të mbahet më 25 qershor 2017,  në ora 11:00.

Ndryshe sipas padisë, Drita Konjusha, Miftar Bytyqi dhe pesëmbëdhjetë (15) paditës të tjerë, punëtorë të administratës, me 31 mars 2015 kishin paditur UP-në. Të njëjtit, pretendojnë se u është bërë e padrejtë mos kompensimi i lartësisë së pagave sipas rritjes së aprovuar nga Qeveria e Kosovës. Sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës,  për të gjithë të punësuarit në administratën publike si shërbyes civil, të cilët i janë nënshtruar ligjit për shërbyes civil, ishte paraparë rritja e pagave për 30 %.  Personeli i Administratës së UP-së, sipas kontratave të punës thuhet se janë shërbyes civil. Paditësit në padi kanë cekur  se kishin punuar edhe pas orarit të punës, ditëve të vikendit, gjatë afatit të provimeve dhe ditëve të festave, mirëpo pagat nuk u ishin kompensuar asnjëherë.