Shtyhet seanca ndaj zyrtarëve të AKP-së të akuzuar për korrupsion

Fevzi Hajdari
Author

Raporton : Medina KADRIU

Qershor 15, 2017

Prishtinë – Është shtyrë seanca ndaj dy zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), të cilët akuzohen për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në çështjen penale kundër, Fevzi Hajdarit dhe Taulant Tahirsylajt, ishte paraparë që palët të prezantonin fjalët e tyre përfundimtare.

Mirëpo, prokurori Kujtim Munishi, i cili zëvendësoi prokuroren Dulina Hamiti, kërkoi nga trupi gjykues që seanca të shtyhet, për shkak se prokurorja Hamiti nuk ka arritur të përfundoj fjalën përfundimtare.

Sipas Munishit, prokurorja Hamiti, ishte e angazhuar në një çështje tjetër penale dhe për shkak të ngarkesës së punës në lëndë, nuk ka arritur ta përfundoj fjalën përfundimtare.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 22 qershor, në orën 13:00.

Ky proces zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila i ngarkon të pandehurit, Fevzi Hajdari dhe Taulant Tahirsylaj, si persona zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) për veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Të njëjtit, pretendohet se kanë kërkuar 20.000 euro nga i dëmtuari, Ramush Misini për t’ia hequr barrën tatimore në ATK, lidhur me një tokë të blerë nga AKP-ja.

Tutje, sipas prokurorisë i pandehuri Hajdari, më vonë ka pranuar 15.000 mijë euro nga i dëmtuari Misini, që i njëjti ta shlyej borxhin prej 517.042.09 në ATK, me të cilin borxh kjo e fundit, e kishte ngarkuar fabrikën “IBG”, një pjesë të së cilës e kishte blerë familja, Misini nga AKP-ja.