Shtyhet seanca ndaj zjarrfikësit i cili akuzohet se përpiloi vërtetim me përmbajtje të pavërtetë

Naser Abazi
Author

Raporton: Valdet HAJDINI

Qershor 19, 2017

Gjilan – Është shtyrë seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” Naser Abazi, e paraparë të mbahej të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Refik Haliti propozoi që në cilësi të dëshmitarit të ftohet komandanti i Njësisë së zjarrfikësve në Viti, Hetem Jakupi.

Meqenëse ky propozim u aprovua nga trupi gjykues, seanca në fjalë u shty për 30 korrik 2017, në ora 14.30.

Ndryshe, ky gjykim zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila pretendon se i akuzuari Naser Abazi, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare. Sipas pretendimit të prokurorisë, i akuzuari Abazi më 3 prill 2012, pa qenë i autorizuar, ka përpiluar vërtetim me përmbajtje të pavërtetë për djegien dhe shkatërrimin e shtëpisë së Nexhat Shaqiri. Në vërtetimin e lëshuar, i akuzuari ka shkruar se dëmi nga zjarri ka qenë në lartësinë prej 32.500,00 euro, duke rënë në kundërshtim me raportin e lëshuar nga Drejtoria e inspeksionit, por e tërë kjo me qëllim të kompensimit të dëmit material.

Ndryshe, në këtë aktakuzë ka qenë i përfshirë edhe Afrim Halili, por i njëjti është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Gjilan. Ndërsa, i njëjti vendim është vërtetuar nga Gjykata e Apelit, e cila ka kthyer në rigjykim lëndën vetëm sa i përket të akuzuarit Abazi.