Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për manipulim me vota

Drita Konjusha
Author

Raporton: Skender GOVORI

Qershor 15, 2017

Prishtinë – Është shtyrë seanca gjyqësore ndaj shtatë të akuzuarve për manipulim me vota, në zgjedhjet e vitit 2010.

Arsye e shtyrjes së kësaj seance, ka qenë mungesa e kryetares së trupit gjykues.

Lajmin për shtyrjen e seancës, të akuzuarve ua ka dhënë sekretarja juridike e kryetares së trupit gjykues, duke thënë se gjyqtarja Shpresa Hasaj Hyseni, gjendet me një gjykim tjetër, ku ka të akuzuar që gjenden në paraburgim.

Seanca e radhës në këtë rast është caktuar të mbahet më datën 21 qershor 2017, nga ora 14:00.

Ish-Prokuroria Komunale e Prishtinës, kishte ngritur aktakuzë më datën 5 qershor 2012 kundër Imer Rrahmanit, Nazmie Rexhës, Vlora Azemit, Përparim Fazliut, Fadil Krasniqit, Rejhan Dragushës dhe Ajshe Gashit.

Ata akuzohen se në bazë të marrëveshjes paraprake mes vete si komisionarë të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 12 dhjetor 2010, falsifikuan rezultatet e zgjedhjeve duke manipuluar me 474 vota të kandidatëve. Me këto veprime, sipas prokurorisë, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “mashtrim në votime në bashkëkryerje”.