Shtyhet seanca kundër të akuzuarve për fajde dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare

Rasti i Xhelal Hoxha etj
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Qershor 15, 2017

Prishtinë – Mungesa e mbrojtësve të Nuhi Hoxhës dhe Flamur Hoxhës, të akuzuar për fajde, u bë shkak që seanca e së enjtes, të shtyhet për një ditë tjetër.

Të pranishëm përpos Nuhi dhe Flamur Hoxhës, ishin edhe  Xhelal Hoxha e Hamdi Jashari të akuzuar për fajde dhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Mbrojtësit e të akuzuarve, ishin në një seancë tjetër e cila kishte filluar në orën 9:00 në mëngjes dhe kishte zgjatur edhe pasdite, e lloji i veprës penale ishte i atillë që avokatët e kishin të pamundur të merrnin pjesë në këtë seancë.

Andaj Nuhi dhe Flamur Hoxha, kërkuan që kjo seancë të shtyhet.

Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj pyeti edhe prokurorinë lidhur më këtë propozim, mirëpo prokurorja e rastit, Dulina Hamiti tha se është në kompetencë të gjykatës të vendos se a do ta shtyjë apo jo seancën.

Gjykata mori vendim për shtyrjen e seancën, duke e caktuar atë më 12 korrik, në ora 13:15.

Sipas aktakuzës, Xhelal dhe Flamur Hoxha nga viti 2014 e tutje kanë kontraktuar dhe pranuar shumë joproporcionale të të hollave. Të njëjtit, supozohet se si fajde kanë pranuar rreth 32 mijë e 800 euro nga të gjithë të dëmtuarit, me të cilët kanë kontraktuar.

Kurse, i pandehuri Nuhi Hoxha, supozohet se ka ndihmuar të akuzuarin e lartpërmendur duke ia shtyrë pagesën e këstit të fajdesë të dëmtuarve për borxhin, të cilin ata e kishin marrë nga të pandehurit.

Polici Hamdi Jashari, sipas Prokurorisë akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi që pretendohet se ka ndërmjetësuar në mes të pandehurit Xhelal Hoxha dhe njërit prej të dëmtuarve. Jashari akuzohet edhe për ndihmë në fajde, për veprimet e lartpërmendura.