Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për narkotikë

20170615_115910
Author

Raporton: Valdet HAJDINI

Qershor 15, 2017

Prishtinë – Përfaqësuesja e aktakuzës, prokurorja Besa Limani, nuk e ka pajisur me shkresat e lëndës avokatin Nasuf Hasani, i cili mbron të akuzuarin Enver Cenaj, i akuzuar për “posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Për veprën e njëjtë penale ngarkohet edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Abedin Bytyqi.

Ndërsa, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, përfshinë edhe Arlind Gërmizin, i cili është në arrati.

Në seancën e së enjtes, avokati Hasani, ka kërkuar shtyrjen e së njëjtës, me pretendimin se edhe përkundër faktit se ai ka bërë kërkesë për tu pajisur me shkresat e lëndës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Prokurori zëvendësues, Valdet Gashi, deklaroi se pajtohet me avokatin Hasani, pasi që prokuroria është e obliguar që t’i ofroj shkresat e lëndës palëve në procedurë.

Ndërsa, gjykata refuzoi kërkesën e avokatit Asdren Hoxha, mbrojtës i të akuzuarit Bytyqi, lidhur me zëvendësimin e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 5 korrik, në ora 14:00.

Të akuzuarit e lartpërmendur, pretendohet se pa autorizim kanë shpërndarë, shitur apo transportuar, preparate si narkotikë, substanca psikotrope ose substanca analoge me qëllim të ofrimit për shitje.

Sipas aktakuzës, Policia e Kosovës, ka sekuestruar 55.60 kilogramë me substancë të dyshuar për marihuanë, në makinën të cilën e ngiste i akuzuari, Bytyqi.

Të akuzuarit gjenden në masën e paraburgimit që nga data 31 tetor 2016.