Shtyhet gjykimi ndaj ish-gjyqtarit Kolë Puka

19349225_1954601884819808_130165087_o
Author

Raporton: Medina KADRIU

Qershor 16, 2017

Prishtinë – Mungesa e gjyqtares, Alltën Murseli, u bë shkak i shtyrjes së shqyrtimit gjyqësor, që është paraparë të mbahet të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj ish-gjyqtarit të ish-Gjykatës Komunale të Klinës, Kolë Puka.

Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, informoi të pranishmit që për arsye personale, gjyqtarja Murseli nuk mund të ishte e pranishme në seancë.

Edhe pse është gjetur zëvendësim për gjyqtaren, palët në procedurë dhe trupi gjykues u pajtuan që seanca të shtyhet.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 22 qershor, në orën 9:00.

Ish-gjykatësi Puka, akuzohet për nxjerrje të paligjshme të vendimeve gjyqësore, keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autorizimit, pastrim të parave dhe shmangie nga tatimi.

Sipas pikës 1 të aktakuzës, më 4 qershor 2008, Kolë Puka kishte nxjerr një vendim mbi kompensimin e familjes Rrustem dhe Qazim Gashi, ku kishte miratuar një pagesë të dyfishtë të pajustifikuar. Familjen Gashi e kishin përfaqësuar avokatët, Lon Palushaj dhe Zef Marleku. Puka, kishte nxjerrë vendime të paligjshme duke pasur dijeni se avokatët Marleku dhe Palushaj, nuk kishin pasur asnjë kompetencë që t’i përfaqësojnë klientët e tyre në gjykatë. Ish-gjykatësi Puka, për një rast, për avokatin Palushaj, kishte miratuar një kompensim në shumën prej 56.000 euro, ndërsa për një rast tjetër avokatit Marleku, shumën prej 61.536 euro. Më pas, këto mjete ishin transferuar në xhirollogaritë bankare të avokatëve.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, gjatë viteve 2002 – 2007, Puka duke shfrytëzuar pozitën si gjykatës, kishte përdorur vulën zyrtare të Gjykatës Komunale në Klinë, për vulosjen e 19 autorizimeve për përfaqësim ligjor, përkundër faktit se personat në fjalë, nuk kishin dhënë pëlqimin e tyre. Vulosja e këtyre autorizimeve ishte bërë me qëllim që t’u jepet origjinaliteti këtyre autorizimeve, të krijohet një dosje e lëndës, e cila më pas do t’i paraqitej kompanisë së sigurimeve “Kosova në Likuidim”.

Pika 3 e aktakuzës, Pukën e ngarkon më veprën penale të pastrimit të parave. Gjatë viteve 2002 – 2008, duke qenë i vetëdijshëm që paratë ishin produkt i aktivitetit kriminal, dhe me qëllim të fshehjes së prejardhjes së parave në vlerë prej 1.200.000 euro, kishte blerë prona të ndryshme. Sipas aktakuzës, Puka në Klinë kishte blerë dy apartamente, një lokal dhe një ndërtesë dy katëshe. Në Mal të Zi, kishte blerë dy pllace. Ndërsa në Prishtinë, në lagjen Ulpiana kishte blerë një apartament.

Në pikën 4 të aktakuzës, Puka akuzohet për shmangie nga tatimi. Gjatë viteve 2002 – 2009, sipas aktakuzës, ai nuk i kishte raportuar të dhënat në Administratën Tatimore të Kosovës, lidhur me të hyrat e tij, në 14 raste ku ai kishte falsifikuar dokumentet. Në këto raste, ai kishte bërë kërkesa të autorizuara në Kompaninë e Sigurimeve “Kosova në Likuidim”, dhe kishte pranuar fonde, për të cilat nuk kishte paguar taksa fare. Në këtë mënyrë e kishte dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumën prej 585.259 euro.