Shpallet aktgjykimi për të akuzuarit për shpërthimin në pompën “M-Gas”, ku humbën jetën dy persona

0-02-05-b0f42c5ce88914255581e4582e138650d1ad6ce3c52a5b25618dda6d121a670e_full
Author

Raporton: Valdet HAJDINI

Qershor 15, 2017

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për rastin e shpërthimit në pompën “M-Gas” Petrol në Prishtinë, në vitin 2008, me ç ‘rast kishin humbur jetën dy persona.

Sipas aktgjykimit, pronari i pompës “M-Gas” Petrol, Muhamet Prapashtica u dënua me 4 vite e 10 muaj burgim efektiv, inspektori i tregut Ahmet Frangu me 1 vit burgim efektiv, ndërkaq pronari i ndërmarrjes “P-Gas” Besnik Sadiku dhe inspektorja e tregut Nafije Osmani u dënuan me nga 6 muaj burgim efektiv.
Tani të dënuarve Prapashtica dhe Sadiku, në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndërsa, për të akuzuarin Faton Canolli, gjykatësi Shashivar Hoti bëri të ditur se është veçuar procedura.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Muhamet Prapashtica në cilësinë e pronarit të firmës “M-Gas Petrol”, gjatë vitit 2007 ka vepruar kundër ligjit, në atë mënyrë që pa leje ndërtimi ka ndërtuar pompën e derivateve “M-Gas Petrol” në rrugën “Rrustem Hyseni”, në Prishtinë.  Në këtë rast ndërmarrja ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasuri të vlerave të mëdha, ashtu që më 15 mars 2008, gjatë furnizimit me gaz nga një autocisternë e firmës “P-Gas” nga Peja, është shkaktuar rrezik i madh për jetën ku ka ardhur deri te ndezja e gazit dhe nga lëndimet e shkaktuara kanë vdekur, Bekim Muharremi dhe Ismajl Sadiku.

Tutje, aktakuza ngarkon Besnik Sadikun, i cili në cilësinë e pronarit të ndërmarrjes “P-Gas” ka marrë me qira objektin e deponisë së gazit në Fushë Kosovë. I njëjti ka vepruar në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe standardet e përgjithshme profesionale kundër kushteve të lejes për ndërtim. Në këtë mënyrë është rrezikuar jeta e njerëzve dhe pasurisë, ashtu që punëtorët nuk kanë qenë të pajisur me ADR, si dhe firma nuk ka qenë e licencuar për transportimin e lëndëve të rrezikshme, ku i njëjti nuk ka aplikuar asnjë dokument të nevojshëm për zhvillimin e veprimtarisë.

I pandehuri Faton Canolli, në cilësinë e vozitësit në firmën “P-Gas” në pikën e shitjes së derivateve të naftës, i pa trajnuar për transportim dhe bartjen e lëndëve të rrezikshme si dhe pa kontratë pune, gjatë procesit të furnizimit ka ardhur deri te eksplodimi i gazit.

Ndërkaq, Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani, akuzohen se në cilësinë e inspektorëve të tregut, duke e shpërdorur detyrën zyrtare i kanë mundësuar ndërmarrjes të përfitojë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme duke lejuar që të punohet pa leje valide.