Shpallen fajtorë dy të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik me pasoja fatale

Jetmir Avdullahu - 31.05.2017
Author

Raporton: Suzana MANAJ

Maj 31, 2017

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të  hënën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Jetmir Avdullahut dhe Idriz Krasniqit, të akuzuar për rrezikim të trafikut publik me pasoja fatale.

Avdullahu, është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, kurse Krasniqi, është dënuar më  1 vit burgim me kusht.

Gjykatësi Kujtim Krasniqi, në aktgjykimin ndaj Avdullahut, i cili kishte të angazhuar avokat mbrojtës, Naim Rudarin, në dënim do t’i llogaritet edhe paraburgimi shtëpiak.

Kurse, ndaj Krasniqit, dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse brenda dy viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

Palët, janë obliguar që të paguajnë paushallin e gjykatës, derisa pala e dëmtuar udhëzohet në kontest civil.

Dy të akuzuarit, ngarkoheshin  nga Prokuroria për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 378 paragrafi 9 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila vepër dënohet me burgim prej një deri në tetë (8) vjet.

Kjo vepër, sipas Prokurorisë është kryer më 16 korrik 2016, në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Prishtinë. Jetmir Avdullahu, duke e drejtuar automjetin e tij, kishte shkelur Ligjin mbi Trafikun Publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve në atë mënyrë që nga pakujdesia, ka bërë tejkalimin e shpejtësisë. Avdullahu, për t’iu shmangur goditjes së automjetit të cilin e drejtonte Idriz Krasniqi, ka bërë kthim gjysmë rrethor ku me pas ka filluar ndërrimin e përnjëhershëm nga ana e majtë në të djathtë, duke rrezikuar dhe penguar lëvizjen e automjeteve tjera. Me këtë rast, Jetmir Avdullahu, për t’iu shmangur aksidentit, lëviz në shiritin e djathtë dhe me pjesën e përparme të automjetit godet këmbësorin, Muhamet Vitia, nga mbrapa, i cili ishte në drejtim të tij, ku i njëjti pas lëndimeve të rënda trupore, ndërron jetë.