Sërish nuk e pranojnë fajësinë të akuzuarit për kontrabandim me migrantë

Rasti Admir Sopaj - 15.06.2017 - 1
Author

Raporton: Lutfi MORINA

Qershor 15, 2017

Prizren – Admir Sopaj dhe Sylë Krasniqi, të enjten, në rigjykimin e tyre, sërish nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale të kontrabandimit me mirgrantë dhe krimit  të organizuar.

Ata, pas konsultimit me mbrojtësit e tyre, janë shprehur se e ndiejnë veten të pafajshëm ndaj akuzave që ua ngarkon prokuroria.

Prokurori i çështjes, Elez Blakaj, në fjalën e tij hyrëse, ka thënë se pas administrimit të provave, të cilat do t’i paraqesë gjatë shqyrtimit gjyqësor me padyshim do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen. Blakaj, tutje ka thënë se fajësia e të akuzuarve do të dëshmohet përmes transkripteve të bisedave telefonike në mes të akuzuarve dhe personave tjerë, ku sipas tij, do të shihen marrëveshjet për të bërë kontrabandimin e tyre. Ai, ka thënë se do të vërehet edhe shumat e paguara nga personat e ndryshëm për të realizuar kontrabandimin në shtetet e Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Admir Sopaj, avokati Bajram Tmava, ka thënë se me të gjitha provat me të cilat organi i akuzës pretendon se do ta dëshmoi fajësinë e klientit të tij, në të vërtetë do të dëshmohet pafajësia e tij. Ai, ka thënë se për këtë çështje palët në procedurë i kanë qëndrimet e tyre, pasi që njëherë ky rast është gjykuar, por se për arsye të thjeshta teknike është prishur nga Gjykata e Apelit.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sylë Krasniqi, avokati Naim Qelaj, ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se i klienti i tij nuk i ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet, por se do të vërtetohet se aktakuza nuk ka mbështetje faktike e as ligjore.

Në këtë seancë është dëgjuar dëshmitari Shaqir Shala, i cili është babai i Nazmi Shalës – për të cilin prokuroria pretendon se është kontrabanduar nga të akuzuarit. Ky dëshmitar ka thënë se nuk e din se si djali i tij Nazmiu ka dalë jashtë vendit, por se vetëm e ka përcjellë deri në Aeroportin Ndërkombëtar  të Prishtinës, “Adem Jashari”. Ai ka mohuar të ketë biseduar me të akuzuarit apo me dikë tjetër, për të dërguar djalin e tij jashtë vendit.

Në mungesë të dëshmitarëve tjerë të propozuar nga organi i akuzës, kryetari i trupit gjykues,  Skender Çoçaj, ka ndërprerë shqyrtimin gjyqësor dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 28 gusht 2017, duke filluar nga ora 13:00.

Admir Sopaj dhe Sylë Krasniqi, akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se në periudhën maj-shtator 2014, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë pasurore, kanë rekrutuar persona me qëllim që t’i dërgojnë në shtetet e perëndimit. Sipas aktakuzës, këta të akuzuar i kanë dërguar migrantët deri në kufi me Hungarinë, ndërsa bashkëpunëtorët e tyre nga aty i kanë dërguar me vetura deri në Vjenë të Austrisë, e nga aty janë shpërndarë për në vendet tjera.

Gjithnjë sipas aktakuzës, migrantët për këto veprime kanë paguar shuma të parave prej rreth 2500 euro për person, ku në fillim është paguar një shumë prej 500 euro, ndërsa kur kanë mbërritur në Vjenë, familjarët në Kosovë kanë paguar pjesën tjetër prej 2000 eurosh.

Gjykata Themelore në Prizren, më 18 maj 2015 ka gjetur fajtorë të akuzuarit Admir Sopaj dhe Sylë Krasniqi, për veprën penale të kontrabandimit me migrantë dhe i kishte dënuar secilin me nga 3 vite burgim efektiv dhe 8 mijë euro gjobë. Ndërsa, i ka liruar nga vepra penale e krimit të organizuar.

Por, Gjykata e Apelit e ka prishur një aktgjykim të tillë me arsye se nuk është arritur të dëshmohen veprimet e secilit të akuzuar në raport me personat e kontrabanduar. Sipas Apelit disa prej personave, që Prokuroria pretendon se janë kontrabanduar, kanë udhëtuar në mënyrë legale deri në Suboticë e nga ku krejt persona tjerë i kanë bartur për në Vjenë.