Refuzohen propozimet e mbrojtësit të paditëses për ekspertizë dhe  deklarim të dëshmitarëve, pritet aktgjykimi i rastit kundër  ASK-së

01. ASK
Author

Raporton: Erestina BUJA

Maj 17, 2017

Prishtinë – Përfaqësuesit të paditëses Arditë Mulhaxha, avokatit Fsinik Salihu, në rastin kundër Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), iu refuzua propozimi për ekspertizë dhe deklarim të dëshmitarëve me arsyetimin se pas përfundimit të Kontratës së punës me ASK-në, paditësja nuk ishte njoftuar për mos vazhdimin e kontratës.

Salihu në seancën e së mërkurës tha se paditësja kishte lidhur kontratë njëvjeçare me ASK-në, mirëpo pa përfunduar afati i kontratës i kishin ndërruar pozitën nga zëdhënëse të Zyrës së Regjistrimit të Popullsisë së Ekonomive Familjare dhe Banesave, në zyrtare për Informim, pa arsyetim dhe pa ndonjë vendim të institucionit.

Mes të tjerash, avokati tha se paditëses i kishin ofruar kontratë pune për konsulentë me pagë mujore 450 euro, ku e njëjta iu është anuluar brenda ditës  duke i ulur pagën në 350 euro. Paditësja nuk kishte  qenë e informuar  për mos vazhdimin e kontratës ku  i kishin thënë të mos shkoj në punë. Mirëpo sa herë paditësja kishte shprehur interesimin për tu paraqitur në punë  i kishin thënë se është e punësuar, por do e thërrisnin vet kur të ishte e nevojshme.

Përfaqësuesi i palës së paditur Rushit Kajtazi,  deklaroi se e kundërshton në tërësi padinë e paditëses si të pa bazuar me arsyetimin se paditësja e kishte parashtruar ankesën jashtë afatit ligjor.

Avokati i paditëses kundërshtoi Kajtazin,  duke thënë se paditësja nuk ishte e njoftuar për mos vazhdimin e kontratës, me këtë rast ishte ditur as afati për ushtrimin e ankesës.

Gjykatësja Arjeta Sadiku pas administrimit të provave i njoftoi palët që aktgjykimi i rastit do të shpallet në javët në vazhdim.

Ndryshe, sipas padisë Arditë Mulhaxha kishte konkurruar për pozitën zëdhënëse e Zyrës Regjionale të Punësimit (ZRP) në Entin Statistikor të Kosovës ku edhe ishte pranuar për punë. Mirëpo pak para përfundimit  të kontratës asaj i ishte ndryshuar vendi i punës. Më pas në bazë të një njoftimi dy muaj para përfundimit të kësaj kontrate ishte pushuar nga puna. Më anë të një njoftimi në hapësirat e ZRP-së ishte thënë se përfundon marrëdhënia e punës për nënpunës pasi që kishte përfunduar projekti. Mulhaxha kishte paraqitur ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, ankesë e cila i’u kishte refuzuar.