Prokuroria bën rikualifikimin e veprës penale në rastin e “Badovcit”

badovci 19.06.2017
Author

Raporton: Skender GOVORI

Qershor 19, 2017

Prishtinë – Prokurorja speciale, Drita Hajdari në seancën e së hënës ka bërë rikualifikimin e veprës penale për të akuzuarit në rastin e njohur si rasti i “Badovcit”.

Gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, prokurorja Hajdari tha se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e ka ndryshuar aktakuzën për të akuzuarit Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj dhe Enis Latifi, duke hequr dorë nga vepra penale që ndërlidhet me terrorizëm “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm; zjarrvënia apo djegia ose shpërthimi nga pakujdesia”, e paraparë me pikën 1.7 të nenit 135 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Sipas të njëjtës, të akuzuarit tani ngarkohen me veprën penale të përgatitjes së veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës,  nga neni 144 paragrafi 4 lidhur me neni 145 dhe nenin 31 të KPRK-së.

Prokurorja Hajdari, deklaroi se ky ndryshim nuk është bërë edhe ndaj të akuzuarit Fehmi Musa. Sipas saj, rikualifikimi i veprës penale për katër të akuzuarit e lartpërmendur, është bërë duke u bazuar në vërejtjet që i ka dhënë Gjykata Supreme në aktgjykimin e saj, me të cilin kjo lëndë është kthyer në rigjykim.

Në fund të fjalës përfundimtare, prokurorja Hajdari kërkoi nga gjykata që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Në anën tjetër, mbrojtësja e të akuzuarit Besnik Latifi, avokatja Albana Kelmendi deklaroi se i duhet një kohë e arsyeshme për përgatitjen e fjalës përfundimtare, tani që prokurorja ka bërë rikualifikimin e veprës penale për të mbrojturin e saj.

Këtij propozimi iu bashkëngjitën edhe avokatët e tjerë mbrojtës Asdren Hoxha, Sabrije Jashari dhe Blerim Qela.

Për këtë arsye, seanca në fjalë u ndërpre, dhe e njëjta u caktua për 18 korrik 2017.

Ky rast është kthyer në rigjykim, pasi që Gjykata Supreme, e kishte rrëzuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila i kishte dënuar Besnik Latifin, Gazmend Halitin, Milazim Haxhiajn, Enis Latifin dhe Fehmi Musen, për kryerje të veprës penale që ndërlidhet me terrorizëm.

Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur të akuzuarit fajtorë më 18 korrik 2016, ndërsa aktgjykimin e Themelores e kishte vërtetuar Gjykata e Apelit, më 29 nëntor 2016, duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, Besnik Latifit, Gazmend Halitit, Milazim Haxhiajt, Fehmi Musës e Enis Latifit.

Mbrojtësit, kishin paraqitur kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme, e cila gjykatë e kishte vendosur që lënda të kthehet në rivendosje-rigjykim.

Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj dhe Enis Latifi, akuzoheshin për përgatitje të veprave terroriste, ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, ndërsa, Fehmi Musa për ndihmë për kryerjen e veprës penale të terrorizimit.

Më 18 korrik të vitit të kaluar, Besnik Latifi u dënua me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Enis Latifi me 10 vjet, ndërsa Fehmi Musa me 4 vjet burg.

Sipas aktakuzës, pesë të akuzuarit në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam”, në Republikën e Kosovës.