Prokurori special nuk e arsyeton mungesën, shtyhet seanca në rastin e zyrtarëve të MD-së

Besnik Dermaku
Author

Raporton: Diana BERISHA

Qershor 19, 2017

Prishtinë – Për shkak të mungesës së prokurorit special, është shtyrë seanca ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Abdurrahim Islami, edhe pse ka qenë i njoftuar për seancën e së hënës, i njëjti nuk e ka arsyetuar mos prezencën e tij.

Një gjë të tillë e bëri të ditur gjyqtari i kësaj çështje penale, Vesel Ismajli.

Andaj, si shkak i mungesës së prokurorit Islami, seanca e paraparë të vazhdoi të hënën, u shty për 21 korrik në ora 13:30, ku priten të dëgjohen disa dëshmitarë.

Ndryshe, kjo aktakuzë është ngritur më 19 korrik 2013, dhe lënda i është ndarë gjyqtares në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi. Pas emërimit të gjyqtares si kryetare e kësaj gjykate, lënda në fjalë i ka kaluar gjyqtarit, Vesel Ismajli.

Në këtë rast, janë dëgjuar 4 dëshmitarë, ndërsa pritet të japin deklaratat e tyre edhe 15 të tjerë.

PSRK kishte ngritur aktakuzë kundër të pandehurve, Besnik Dërmaku, Hidajete Sadiku dhe Naim Krasniqi, pasi ekziston dyshimi i bazuar se prej 22 nëntorit 2008 e deri më 31 dhjetor 2010, duke vepruar si zyrtarë në MD, me qëllim të shkaktimit të dëmit për buxhetin e kësaj ministrie, kanë favorizuar në tenderë të ndryshëm operatorët ekonomikë: “Albus”, “PBC-Kosova”, “Lesna”, “Getoari dhe Dreni Inginiering” dhe “Auto Kaqandolli. Sipas prokurorisë, ata kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, duke i shkaktuar dëm buxhetit të MD-së, e atë në shumë prej 10.080 euro.

Pika e dytë e aktakuzës, të pandehurit Kushtrim Muqolli, Shkëlqim Osmani dhe Agim Beqiraj i ngarkon me veprën penale “keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”. Sipas pretendimeve të prokurorisë i pandehuri Muqolli, si përfaqësues i operatorit ekonomik “Albus”, me qëllim  të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për operatorin ekonomik “Albus” me rastin e aplikimit për tender për furnizim me toner për MD-së, i njëjti ka prezantuar ofertë të rreme, duke plotësuar rubrikat e aplikacionit dhe specifikacionet e tonerëve, për të cilët Ministria nuk i ka përfshirë në listë fare.

Ndaj të pandehurit Shkëlqim Osmani, ekspert në kuadër të kompanisë, “Vizion Projekt”, si kompani mbikëqyrëse e punëve të kryera nga ana e kompanisë “Lesna”, gjatë ndërtimit të objektit të destinuar për dëshmitar të mbrojtur në Dubravë, me qëllim të realizimit  të përfitimit të kundërligjshëm për organizatën “Vision Project”, dhe kompaninë “Lesna”, ka raportuar se punët janë kryer sipas planit dinamik të caktuar nga MD-së. Kurse sipas gjendjes faktike deri atëherë ishin kryer vetëm gjysma e punëve dhe në bazë të këtij raporti, ministria ia kishte paguar operatorit ekonomik “Lesna” shumën prej 1.492.975 euro. Sipas aktakuzës Osmani i ka shkaktuar dëm MD-së, duke i mundësuar kompanisë “Lesna” që mos të penalizohet për vonesat gjatë kryerjes së punëve.

Ndërsa i pandehuri Agim Beqiraj, inxhinier i kompanisë “Lesna”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për të njëjtën kompani, i kishte shkaktuar dëm MD-së në shumën prej 22.863.56 euro.