Prokurori propozon që të akuzuarit për vrasje të rëndë, t’i caktohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik

Shpend Kastrati - 16.06.2017
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Qershor 16, 2017

Prishtinë – Prokurori Hivzi Bajraktari, në fjalën e tij përfundimtare, i propozoi gjykatës që të akuzuarin për vrasje të rëndë, Sh. K. ta shpallë fajtor dhe t’i shqiptojë masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik, me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor.

Prokurori Bajraktari tha se ekspertiza mjekësore kishte konstatuar se i akuzuari, vuan nga sëmundja mendore, skizofreni paranoide.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Besnik Jakupi tha se me asnjë provë nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij, kishte kryer veprën penale si në aktakuzë. “As gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe as nga deklaratat e dëshmitarëve nuk është vërtetuar se i mbrojturi im ka mbytur gjyshin e tij. Në mungesë të provave propozoj që të shpallët i pafajshëm dhe të lirohet nga akuza”, tha avokati Jakupi.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 20 qershor 2017, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës, Sh. K. në mes datës 27 dhe 28 nëntor 2015, në Prishtinë, në shtëpinë e tij në rrugën “Dedë Gjo Luli”, e kishte privuar nga jeta gjyshin e tij, tani të ndjerin Ismail Kastrati. Në natën kritike i pandehuri kishte qenë së bashku me të ndjerin në shtëpinë e tyre, dhe gjatë natës kur i ndjeri kishte rënë për të fjetur, i pandehuri me mjet të fortë të pa identifikuar e kishte goditur në kokë. Nga plagët e marra ishin shkaktuar gjakderdhje trunore, nga të cilat i ndjeri kishte vdekur në vendin e ngjarjes.