Përfundon gjykimi ndaj zyrtarit policor të akuzuar për vrasje të rëndë

IMG_5773
Author

Raporton: Drita SHALA

Qershor 19, 2017

Pejë – Ka përfunduar gjykimi ndaj zyrtarit policor, Shefqet Kameraj, i akuzuar për vrasje të rëndë.

Në seancën e së hënës të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë, palët në procedurë dhanë fjalët e tyre përfundimtare.

Prokurori zëvendësues Ardian Hajdaraj, deklaroi se prokurori i çështjes, Haxhi Sinanaj, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim dhe pasi që gjendet në pushim vjetor, e njëjta vetëm do të lexohet dhe ka kërkuar që të jetë pjesë e shkresave të lëndës.

Në fjalën përfundimtare të dhënë me shkrim, Prokuroria Themelore në Pejë, ka arritur të provoi që në veprimet e të akuzuarit Kameraj, ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Me të gjitha provat e administruara, sipas prokurorisë, është vërtetuar se i njëjti nuk ka qenë në gjendje të afektit mendor, siç pretendon mbrojtja dhe se i akuzuari e ka shtrembëruar realitetin përball Institutit Psikiatrik, duke u deklaruar se ka qenë nën afekt mendor.

Me të gjitha këto, prokuroria ka kërkuar që të akuzuarin ta shpall fajtor, ta dënoi sipas ligjit dhe ta obligoi në pagesën e shpenzimeve të procedurës penale.

Përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Gëzim Kollçaku, ka deklaruar se e mbështet fjalën përfundimtare të dhënë me shkrim nga ana e prokurorit të çështjes, Haxhi Sinanaj dhe ka kërkuar nga gjykata që mos ta pranoi ekspertizën e gjendjes psikike të shëndetit mendor të të akuzuarit, pasi që e njëjta, sipas tij, është mbështetur vetëm në atë se çka ka deklaruar i akuzuari.

Tutje, fjalën përfundimtare e ka dhënë mbrojtja, ku avokati Haxhi Çekaj, ka deklaruar se si mbrojtje asnjëherë nuk e kanë kontestuar vrasjen, por kundërshtimi tha se është bërë për shkak të shkaqeve që kanë ndikuar tek i pandehuri për të kryer vrasjen.

“Si mbrojtje ende qëndrojmë përball asaj se cilësimi juridik i veprës penale është tepër i rëndë dhe se pjesa e dispozitivit të akuzës ku ceket se i akuzuari ‘me dashje dhe për motiv të hakmarrjes ka shtënë në armë… ‘, nuk është arsyetuar se me cilat prova e bazon këtë thënie prokuroria”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga gjykata që të ketë parasysh si rrethanë lehtësuese sjelljen korrekte të të akuzuarit përballë gjykatës, përballë qendrës së paraburgimit, si dhe pendimin e thellë të të akuzuarit, ndërsa, ekspertizës së Institutit Psikiatrik t’ia falë besimin.

I akuzuari Shefqet Kameraj, në fjalën përfundimtare u ka kërkuar fajle publike familjarëve të viktimës dhe se ngjarja sipas tij, nuk do të kishte ndodhur po që se kolegët do ta arrestonin viktimën dhe do ta largonin nga vendngjarja.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Kreshnik Radoniqi ka shpallë të përfunduar gjykimin, ndërsa shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 22 qershor, nga ora 11:00.

Ndryshe sipas aktakuzës, Shefqet Kameraj akuzohet se më 19 prill 2016, në cilësi të personit zyrtar, derisa ishte në detyrë zyrtare si rreshter policor në Stacionin e Policisë në Deçan, me dashje dhe për motive të hakmarrjes ka privuar nga jeta të ndjerin, Ilmi Lufaj. Viktima fillimisht e kishte ofenduar të akuzuarin ku në ato momente kanë ndërhyrë policët, Enver Balaj, Abedin Çeku dhe Avdi Shala, dhe viktimën e largojnë nga vendi i ngjarjes. Nga fyerjet dhe kërcënimet, i akuzuari del nga oborri i Stacionit të Policisë, shkon në drejtim të viktimës dhe pa shkëmbyer asnjë fjalë me viktimën e godet dy herë me pistoletën zyrtare.

Dhe me këtë sipas prokurorisë i akuzuari ka kryer veprën penale  “vrasje e rëndë” nga neni 179 par 1, pika 1.8 të KPRK-së, e dënueshme me jo më pak se dhjetë (10­) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.