Përfaqësuesja e NSH “Edoni.com” kërkon anulimin e vendimit të Doganës së Kosovës

Rasti i Doganes sw Kosoves-Kaltrina
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Maj 17, 2017

Prishtinë – Gentiana Behluli, përfaqësuese e palës paditëse Ndërmarrjes Shoqërore (NSH) ”Edoni com”, në seancën e së mërkurës dha fjalën përfundimtare, në rastin ku e paditur është Dogana e Kosovës. E njëjta kërkoi anulimin e vendimit për të cilin ishte ngritur padia.

Behluli tha se Dogana e Kosovës, e cila nuk ishte prezent në këtë shqyrtim, i kishte kontestuar shpenzimet e transportit për mallin e importuar sipas Deklaratave Unike Doganore (DUD).

“NSH ”Edoni com” i ka kundërshtuar këto rritje me arsyen se vlera e deklaruar e shpenzimeve të transportit ka qenë vlerë reale. Këtë fakt e vërteton edhe dokumentacioni i paraqitur si provë” deklaroi Behluli.

Sipas saj, në udhëzimin administrativ të Kodit Doganor thuhet se Dogana përcakton vlerat e shpenzimeve të transportit,  në rast se nga subjekti importues nuk paraqitet dokumentacion i tillë si kontrata me transportuesin ose pagesa bankare,  të cilat dokumente paditësi i ka poseduar.

Behluli ndër të tjera kërkoi aprovimin e kërkesës së palës paditëse.

Gjykatësi Krenar Berisha njoftoi palën se vendimi për këtë rast do të shpallet ditët në vijim.