Paditësja kërkon nga MPB-ja që pas dorëheqjes t’i mundësohet kthimi në punë

CIVILE (4)
Author

Raporton: Medina KADRIU

Shkurt 14, 2018

Prishtinë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca përgatitore në çështjen civile ku e paditur është Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Paditësja, Ermina Markaj Voca, ka qenë e punësuar në Policinë e Kosovës nga viti 2000 deri në vitin 2012. Më 1 qershor të vitit 2012, sipas padisë, ajo kishte dhënë dorëheqje vullnetare nga Policia e Kosovës.

Sipas padisë, më 19 qershor 2014, paditësja kishte bërë kërkesë që t’i mundësohet sërish punësimi në Policinë e Kosovës, duke u thirrur në nenin 90, pikën 2, të Udhëzimit Administrativ 07/201, e cila, sipas padisë, ka qenë në fuqi në kohën kur paditësja e ka lëshuar Policinë e Kosovës, dhe kriteri për ri punësim ka qenë mbi dy vjet.

Padia thotë se në kohën e paraqitjes së kërkesës për ri punësim ky Udhëzim Administrativ më 8 maj 2014, është ndryshuar dhe nuk ka lejuar ri punësimin e personelit që e ka lëshuar vendin e punës mbi dy vjet dhe i njëjti nuk është publikuar në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës me qëllim që punonjësit të mos kenë njohuri për këto ndryshime.

Kërkesa për ri punësim, sipas padisë është refuzuar më 13 gusht të vitit 2014, kurse ankesë drejtuar drejtorit të përgjithshëm, paditësja thotë se kishte bërë më 28 gusht të vitit 2014. Edhe kjo ankesë, sipas padisë ishte refuzuar përsëri më 30 shtator të vitit 2014.

Më anë të padisë, paditësja ka kërkuar që gjykata të obligojë të paditurën që kërkesën e saj ta shqyrtojë në pajtim me dispozitat e akteve nënligjore që kanë qenë në fuqi në kohën e largimit të punës.

I autorizuari i palës paditëse, Agim Lushta, në seancë ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë. Në fjalën e tij, Lushta deklaroi se paditësja duke u bazuar në rregulloren e mëhershme mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës, në vitin 2012, ka dhënë dorëheqje në atë vit, për shkak të krijimit të familjes.

Lushta, vazhdoi duke thënë se sipas rregullores që ka qenë në fuqi në kohën kur është lejuar dorëheqja e paditëses, afati brenda të cilit paditësja ka pasur të drejtë për ri punësim ka qenë brenda katër vjetësh. Duke u bazuar në këtë rregullore, Lushta tha se paditësja ka paraqitur kërkesë për ri punësim në vitin 2014 , mirëpo nga administrata e policisë është njoftuar që është nxjerrë një rregullore e re me anë së cilës afati përbehet nga 2 vite dhe asnjë udhëzim administrativ i policisë nuk është i shpallur në gazetën zyrtare.

Kurse, sa i përket përgjigjes në padi të të paditurës që thotë se padia është e parregullt, pasi i mungon petitumi, sipas Lushtës kjo padi është e rregullt dhe e ka petitumin.

Kurse, gjykatësja Mihane Ismajli, deklaroi se padia nuk është shumë e qartë, mirëpo sipas saj, e njëjta mund të rregullohet.

E autorizuara e të paditurës, Nazmije Aliu, në fjalën e saj tha se e kundërshton në tërësi kërkesëpadinë e paditëses si të pabazuar dhe mbetet në tërësi pranë përgjigjes në padi të datës 12 prill të vitit 2016.

Aliu, tha se kundërshton edhe deklarimet e përfaqësuesit të paditëses, nga fakti se deri të marrja e vendimit me të cilin iu kishte refuzuar kërkesa për ri punësim paditëses, ka ardhur duke u bazuar në pikën 2 të nenit 90 të Udhëzimit Administrativ 07/2012 mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës ku sipas saj, thuhet: “Pasi që kanë kaluar më tepër se dy vjet nga data e qëndrimit jashtë Shërbimit Policor të Kosovës”, për këtë arsye i është refuzuar kërkesa.

Ndërsa, sipas Aliut, duke u bazuar në pikën 5 të nenit 88 të Udhëzimit Administrativ 07/2012 mbi marrëdhënien e punës është caktuar: ”Për ri punësim është njëra nga praktikat më të mira që do të përdoret për të përmbushur nevojat e Policisë së Kosovës dhe jo si një obligim i organizatës për të ri punësuar ish zyrtarët”.

Gjykatësja ka deklaruar se dëshiron të shoh Udhëzimin Administrativ i cili po kontestohet.

Kurse, pala paditëse ka deklaruar se policia nuk po e pajis me atë udhëzim.

Kurse, paditësja Ermina Markaj Voca, deklaroi se është i njëjti udhëzim, i njëjti nen dhe pikë, veç se atëherë, sipas saj, afati ka qenë katër vjet, kurse tani është ndryshuar dhe është dy vjet.

Gjykata ka marr aktvendim me të cilin ka obliguar të paditurën që në seancën e ardhshme më 20 mars të këtij viti, me fillim nga ora 11:30, të sjell Udhëzimin Administrativ.