Pa palë ndërgjyqëse bëhet administrimi i provave në rastin kundër MPB-së

02. MPB
Author

Raporton: Erestina BUJA

Maj 17, 2017

Prishtinë – Pa asnjërën palë ndërgjyqëse u mbajt shqyrtimi kryesor kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), në Departamentin Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë.  Edhe pse palët  ishin  ftuar në mënyrë të rregullt nga ana e gjykatës, asnjëra nga to nuk prezantoi në seancën e së mërkurës.

Gjatë këtij shqyrtimi, gjykatësja Arjeta Sadiku bëri administrimin e provave të paraqitura nga palët.

Ndryshe, Bashkim Asllani kishte paditur Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë – Ministrinë e Punëve të Brendshme lidhur me një vendim të marrë për shpalljen si të pafajshëm të policit Fahri Shala, i punësuar në stacionin policor në Vushtrri. Pala pretendon se ky polic e kishte penguar në kryerjen e detyrës zyrtare, dhe kishte keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar.

Paditësi Bashkim Asllani ishte këshilltar në Zyrën Komunale për Punësim në Vushtrri. Pala ndër të tjera në padi kishte thënë se ai me policin Shala kishin pasur një konflikt, pasi që polici në fjalë i kishte hyrë në zyrë dhe e kishte kanosur palën, duke quar dorën në revole. Po në atë moment kishin ndërhyrë dy punonjës të Zyrës Komunale për Punësim.