Oftamologu thotë se 150 euro nga dhëndri i pacientit i mori në emër të shpenzimeve të materialit për operim

Drita
Author

Raporton: Drita SHALA

Shkurt 12, 2018

Pejë – Oftamologu në Spitalin Rajonal në Pejë, Orhan Gafurri, i akuzuar për marrje të ryshfetit, në rigjykimin e rastit ndaj tij, ka thënë se ka marrë të holla në shumë prej 150 euro, nga Ali Shabanaj, dhëndëri i pacientit, tani të dëmtuarit, Fazli Bajramaj.

Por, të hënën, në Gjykatën Themelore në Pejë, ka thënë se ato të holla i ka pranuar në emër të shpenzimeve të materialit për operim.

“E pranoj se i kam marrë të hollat, por ato kanë qenë në emër të shpenzimeve të materialit për operim, i cili në atë kohë por edhe tani mungon në spital”, ka thënë i akuzuari, gjatë mbrojtjes së tij.

Në pyetjen e prokurores Sahide Gashi, i akuzuari Gafurri, ka deklaruar se rasti i të dëmtuarit Bajramaj, nuk ka qenë operacion urgjent dhe se me ligj, sipas tij, e kanë të ndaluar të marrin të holla nga pacientët.

“Ato të holla i kam marrë nga dhëndëri i pacientit, ngase e kam njohur dhe i njëjti më ka kërku që sa më parë t’ia bëjë babën operacion nga syri”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se edhe herën e parë, kur i dëmtuari Bajramaj,  është operuar nga syri i majtë, në spital nuk ka pasur material për operim dhe se operacionin, thotë se ia ka bërë pa asnjë kompensim, duke shtuar se një shërbim të tillë e kishte kryer me shpenzimet e tij personale.

Gafurri ka thënë se në ambulancën e tij private e merr materialin për operim, duke shtuar se ngase atë më parë e blenë me shumicë në Shkup, pasi sipas tij, për shkak të ndjeshmërisë së materialit dhe sterilitetit, nuk mund të blihet në barnatore.

Paraprakisht, në seancën e së hënës, është dëgjuar edhe i dëmtuari Fazli Bajramaj dhe motra kryesore e Spitalit Rajonal në Pejë, repartit të Oftalmologjisë, Remzije Lipa.

Ndërsa, palët janë pajtuar që deklaratat e dëshmitarëve, drejtorit të spitalit, Skender Dreshaj, doktoreshës së oftalmologjisë, Jeta Gacaferi  dhe Ali Shabanaj, të lexohen.

I dëmtuari Fazli Bajramaj, ka deklaruar se të hollat i akuzuari Gafurri, i ka marrë nga dhëndëri i tij, Ali Shabanaj, ndërsa rastin e ka paraqitur në polici pas tre muajsh.

“Rastin e kam paraqit pas tre muajve, sepse kam prit se mos po më shërohet syri, por ai nuk është shëru dhe tanimë me syrin e djathtë nuk shoh”, tha i dëmtuari Bajaramaj.

Kurse, dëshmitarja Remzije Lipa, ka deklaruar se është e vërtetë se në atë kohë nuk ka pasur material për operim në spital, por se materiali i cili duhet të blihet nga pacientët iu shkruhet në letër dhe të njëjtit e sigurojnë në barnatore.

“Rreptësishtë e kemi të ndaluar të kërkojmë dhe të marrim të holla nga pacientët, e gjithashtu edhe të fusim material në spital apo të marrim nga spitali”, ka deklaruar ajo.

Pas përfundimit të shqyrtimit të procedimit të provave, palët kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Sahide Gashi ka deklaruar se me të gjitha provat është vërtetuar përtej çdo dyshimi të bazuar, se i akuzuari Orhan Gafurri, e ka kryer veprën penale me të cilën e ngarkon akuza.

Ajo nga gjykata ka kërkuar edhe dënim plotësues, ndalim të ushtrimit të profesionit.

Në fjalën përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gëzim Kollçaku, ka deklaruar se pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, prokuroria nuk ka arritur që me asnjë provë të vërtetojë fajësinë e klientit të tij dhe për këtë shkak, ai ka kërkuar nga gjykata që në mungesë të provave të njëjtin ta lirojë nga akuza.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu, ka konstatuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 15 shkurt 2018, në ora 15:00.

I akuzuari Gafurri, për vepër penale “marrje e ryshfetit”, më 21 nëntor 2016, nga gjykata e shkallës së parë ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht që brenda dy vjetësh të mos kryej ndonjë vepër tjetër penale si dhe me 1.500 euro gjobë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 24 maj 2017, për shkak të ankesës së mbrojtjes, avokatit Gëzim Kollçaku dhe prokurores Gashi, e kishte kthyer rastin në rigjykim dhe rivendosje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Orhan Gafurri, akuzohet se më 2 korrik 2015, rreth orës 09:05, në Spitalin Rajonal, në Pejë, në repartin e syve, si person zyrtar, doktor i oftalmologjisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar përfitim për vete, në mënyrë që të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës, me kusht që ta operojë të dëmtuarin Fazli Bajramaj, nga i njëjti ka kërkuar të holla në shumë prej 150 euro.