Nuk e pranon fajësinë i akuzuari për vrasje në tentativë

19197496_1589948244350964_1531366045_o
Author

Raporton: Verona KADRIU

Qershor 14, 2017

Ferizaj – I akuzuari Mursel Izeti, të mërkurën, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “vrasje në tentativë”. Ndërkaq, i njëjti pranoi fajësinë për mbajtje dhe shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

Pas leximit të akuzës nga prokurori i çështjes Shukri Jashari, i pandehuri Izeti, fillimisht pranoi fajësinë për të gjitha pikat që i ngarkohen sipas aktit akuzues. Mirëpo, pas konsultimit me mbrojtësen e tij, avokaten Zejnepe Zenuni, ai fajtor u deklarua vetëm për veprën penale “mbajtja në pronësi,kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Kurse, sa i përket veprës “vrasje në tentativë”,  i akuzuari tha se në këtë fazë do të deklarohet i pafajshëm, sepse siç deklaroi, dëshiron që në seancën e radhës të jetë prezent edhe i dëmtuari Bashkim Curoja, pasi që me këtë të fundit, ai tha se janë pajtuar dhe më nuk kanë probleme.

Kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli, ndërkaq njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësen e tij, se brenda afatit ligjor prej 30 ditëve kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet dhe propozimet lidhur me çështjen, vetëm sa i përket veprës penale “vrasje në tentativë”.

Lidhur me veprën penale për të cilën i pandehuri u deklarua fajtor, gjyqtari Konxheli njoftoi këta të fundit se shpallja e aktgjykimit do të bëhet në fund të shqyrtimit gjyqësor.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, akuzon tani të pandehurin, Mursel Izeti se më 7 korrik 2009, në fshatin Greme, Komuna e Ferizajit, me dashje ka tentuar ta privoi nga jeta të dëmtuarin, Bashkim Curroja.

Veprën penale, sipas aktit akuzues, i pandehuri pretendohet se e ka kryer pasi që paraprakisht me të dëmtuarin Curroja kishin pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme, ashtu që ky i fundit kishte shkuar për të biseduar lidhur me një rast që kishin pasur me të, mirëpo fillojnë konflikt verbal me vëllain dhe babanë e të pandehurit, Alban e Nazmi Izetin, ku të njëjtit i sulmojnë me grushte dhe shkopa druri.

Sipas aktakuzës, me të vërëjtur këtë i pandehuri Mursel Izeti, merr pushkën gjysmë automatike të kalibrit 7.62 mm, dhe nga një distancë prej 3 metra shtënë një herë në drejtim të të dëmtuarit, duke e qëlluar në qafë në anën e djathtë, e pastaj edhe dy herë në ajër.