Nuk e pranon fajësinë e akuzuara për keqpërdorim të së drejtës së votimit

Nora Kelmendi- Rasti Blediana Murati- 19 Qershor 2017.
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Qershor 19, 2017

Vushtrri – Blediana Murati, në seancën e shqyrtimit fillestar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, nuk e ka pranuar fajësinë për keqpërdorim të së drejtës së votimit, akuzë me të cilën ngarkohet.

Mos pranimi i fajësisë nga e akuzuara, bëri që në këtë çështje penale të mos mbahet shqyrtimi i dytë, por të akuzuarës iu dha afati prej 30 ditësh për kundërshtimin e aktakuzës.

E akuzuara Murati, nuk kishte përfaqësues, me ç’rast mbrojtjen e bëri vetë.

Përveç saj, të pranishëm në këtë seancë ishin edhe gjyqtari, Beqir Halili dhe prokurori, Njazi Rexha.

Ndaj të akuzuarës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më 30 mars 2015, kishte ngritur kallëzim penal.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës, Blediana Murati akuzohet se më 8 qershor 2014, në fshatin Vojnik, në shkollën fillore “Skender Skenderi” në Komunën e Skenderajt, në vendvotimin 2110B/02D, ka votuar si votues me kusht, edhe pse më parë ka votuar si e rregullt në një shkollë tjetër.

Vepra penale “keqpërdorimi i të drejtës së votimit”, nga neni 216 dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet, sipas KPRK-së.