Ndërpritet shqyrtimi ndaj Limajt, mbrojtja propozon leximin e të gjitha provave në rastin “Bellanica”

Fatmir Limaj- 14.06.2017 (1)
Author

Raporton: Arbër GUTA

Qershor 14, 2017

Gjakovë – Është ndërprerë shqyrtimi ndaj Fatmir Limajt, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për rastin e njohur “Bellanica”.

Kjo u bë me propozimin e të akuzuarit Limaj dhe avokatit të tij, Tahir Rrecaj, që të gjitha provat dhe dëshmitë që ka prokuroria të konsiderohen si të lexuara me qëllim të efikasitetit të procedurës dhe për arsye se po kanë pengesa për përgatitjen e mbrojtjes shkaku i procedurës tjetër që zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kurse, shqyrtimi i paraparë të mbahet me 15 qershor, u anulua pasi që prokurorja Drita Hajdari kërkoi kohë deri më 16 qershor që të njoftoi gjykatën lidhur me propozimin e mbrojtjes.

Ndër të tjera, ky shqyrtim filloi me fjalën hyrëse të palëve. Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, fjalën hyrëse e kishte përgatitur me shkrim dhe kërkoi që e njëjta të jetë pjesë e procesverbalit.

Prokurorja, Hajdari tha se provat do të vërtetojnë fajësinë dhe përgjegjësinë komanduese të Fatmir Limajt në rastin e vrasjes së dy civilëve më 1998.

Po ashtu edhe avokati Tahir Rrecaj, fjalën hyrëse e kishte përgatitur me shkrim, të cilën e elaboroi në pika të shkurta ku edhe kërkoi nga gjykata që të marrë aktgjykim lirues ndaj klientit të tij, Limaj.

Në fjalën hyrëse, Fatmir Limaj ndër të tjera theksoi se është i gatshëm në çdo kohë që të kontribuoi në çdo formë, me qëllimin e vetëm që, sipas tij, të vije deri tek e vërteta. “Kjo gjë i intereson palës së dëmtuar, e në këtë rast edhe mua, e jo të luhet me ndjenjat e familjarëve. Si dhe në emër të vuajtjeve dhe dhimbjeve të tyre, me arrit në objektiva të cilat nuk kanë të bëjnë me zbardhjen e të vërtetës”, ka thënë Limaj.

Trupi gjykues i kryesuar nga Nikollë Komani, do të vendos për seancën e ardhshme pas përgjigjes së prokurores lidhur me propozimin e mbrojtjes dhe për këtë gjë palët do të njoftohen me thirrje të rregullta.

Sipas Prokurorisë Speciale, Fatmi Limaj dyshohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në cilësinë e komandantit ushtarak të Brigadës 121, të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, ka shkelur rëndë nenin 3 që është i përbashkët për katër Konventat e Gjenevës, në atë mënyrë që nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme, brenda kompetencave të tij, për të parandaluar apo ndaluar vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, të cilët me arsyetimin se janë bashkëpunëtorë të okupatorit serb janë marrë nga disa persona me maska dhe janë ekzekutuar me vdekje. Me çka ka shkelur nenin 3 të  Konventave të Gjenevës dhe Kodin Penal, i cili e inkriminon si vepër penale edhe “përgjegjësinë e komandës”.