Mungon prokurorja, shtyhet seanca

20170531_111929
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Maj 31, 2017

Prishtinë – Është shtyrë shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarit Flamur Dërvisholli, për shkak të mungesës së prokurores, Fatmire Cakaj, e cila sipas gjykatës ishte e angazhuar në një përfaqësim tjetër gjyqësor në Gjykatën Themelore në Lipjan.

Pjesëmarrës në seancë ishte vetëm i akuzuari, Flamur Dërvisholli dhe mbrojtësi i tij sipas autorizimit, avokati Përparim Haliti.

Seanca e radhës është caktuar për datën 5 qershor 2017, në ora 10:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, pretendon se i akuzuari, Flamur Dërvisholli, ka kryer veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”. Sipas aktakuzës së kësaj prokurorie Dërvisholli më 12 dhjetor 2014 ka poseduar pa autorizim substanca narkotike, ku pas një aksidenti trafiku, nga i cili i akuzuari kishte pësuar dëmtime trupore-gjendje kome dhe pas kontrollimit të gjësendeve të tij për identifikim nga stafi i emergjencës së QKUK-së, i është gjetur një qese, që sipas ekzaminimit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë në Prishtinë është dhënë konstatimi substanca e gjetur është e llojit marihuanë, në peshë të përgjithshme 1.84 gram.

Vepra për të cilën akuzohet Dërvisholli, është e paraparë me nenin 275 par 1 të Kodit Penal, e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tre (3) vjet.