Mungon i dëmtuari, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për vjedhje të pëllumbave

17887432_1525672097445246_37883170_o (1)
Author

Raporton: Verona KADRIU

Qershor 15, 2017

Ferizaj – Mungesa e të dëmtuarit Faruk Isufi, u bë shkak i shtyrjes së seancës gjyqësore, e paraparë të mbahej të enjten, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kundër të akuzuarit për “vjedhje të rëndë”, Imer Makolli.

Gjyqtarja e çështjes Hysnije Gashi, lidhur me mungesën e të dëmtuarit,  konstatoi se i njëjti ka pranuar ftesën e rregullt të dërguar nga gjykata, mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Ndryshe, i dëmtuari Isufi është i vetmi dëshmitar i propozuar në këtë rast, dhe ishte paraparë të dëgjohej në cilësi të dëshmitarit, gjatë kësaj seance gjyqësore.

I pandehuri Imer Makolli, akuzohet së në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit në fjalë, me përdorim të forcës ka hapur derën e kafazit të pëllumbave dhe nga aty ka marrë 30 copë pëllumba, në vlerë sipas të dëmtuarit prej 600 eurosh.

Sipas akuzës, të dëmtuarit i janë kthyer 11 pëllumba, kurse 19 të tjerë jo, e të cilat pretendohet se i pandehuri ua ka shitur në treg personave të panjohur.