Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për vjedhjen e shërbimeve komunale

Minush Shala -07.06.2017
Author

Raporton: Arbër GUTA

Qershor 7, 2017

Gjakovë – Mungesa e Minush Shalës, i akuzuar për vjedhje të shërbimeve komunale, ka pamundësuar mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, i cili ishte paraparë të mbahet të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Gjyqtarja, Diana Sina, theksoi se për të akuzuarin gjykata ka dërguar thirrje të rregullt, por tha se nuk kanë prova, që i njëjti është thirrur nga shërbimi postar.

Në seancë, ishte e pranishme prokurorja, Mone Syla, kurse përveç mungesës së të akuzuarit, në këtë shqyrtim nuk u paraqit as përfaqësuesi i palës së dëmtuar, KEDS, duke mos e arsyetuar mungesën.

Seanca e ardhshme u caktua të mbahet më 14 korrik 2017, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës, Minush Shala akuzohet se që nga data e pavërtetuar e gjerë më 25 shtator 2013 në lokalin e tij në fshatin Rogovë, Komuna e Gjakovës, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ka penguar regjistrimin normal të energjisë elektrike, duke i shkaktuar dëm matërial të dëmtuarës, KEDS, në vlerë prej 589,79 Euro. Me çka ka kryer veprën penale  të vjedhjes së shërbimeve komunale, nga neni 320 të Kodit Penal të Kosovës.