Mungon i akuzuari për vrasje në tentativë, sërish lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim

Jetullah Hajdini
Author

Raporton: Medina KADRIU

Shkurt 12, 2018

Prishtinë – Mungesa e të akuzuarit për vrasje në tentativë, Jetullah Hajdini, është bërë shkak që të mos mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj tij, i paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kryetarja e trupit gjykues Shpresa Hasaj Hyseni, ka deklaruar se ndaj tij është lëshuar urdhëresë për sjellje në gjykatë.

Kjo urdhëresë, kryetarja e trupit gjykues, deklaroi se është pranuar nga Stacioni Policor në Drenas, më 18 janar, mirëpo, pas bisedës në telefon nga ana e saj, të njëjtit kanë deklaruar se nuk kanë pasur mundësi të realizojnë urdhëresën.

Gjykatësja Hasaj-Hyseni, deklaroi se meqenëse nuk është realizuar kjo urdhëresë, sërish gjykata do të lëshoj urdhëresën për sjellje me detyrim.

Në këtë seancë të pranishëm ishin prokurorja e shtetit Shemsije Asllani, avokati i të pandehurit Ramiz Krasniqi, si dhe të dëmtuarit Jeton e Valon Imeri, bashkë me avokatët e tyre, Bekim Kafexholli dhe Bleta Gashi- Rrusta.

Seanca e ardhshme për këtë rast pritet të mbahet më 27 mars 2018, me fillim nga ora 10:00.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 28 dhjetor të vitit 2017, Jetullah Hajdini, i akuzuar për plagosjen e Jeton dhe Valon Imerit, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “vrasje në tentativë.

Gjithashtu, në këtë seancë, të akuzuarit Hajdini, i ishte ndërprerë masa e paraburgimit dhe i ishte zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej dy muajsh.

Ky vendim ishte marrë nga trupi gjykues, pas kërkesës së mbrojtësit së të akuzuarit Hajdini, avokatit Ramiz Krasniqi.

Sipas aktakuzës, me 28 korrik 2017, në fshatin Komoran, Komuna e Drenasit, pas një mosmarrëveshje mes të akuzuarit Jetullah Hajdini dhe të dëmtuarve Jeton e Valon Imeri, kur këta të fundit kishin filluar të largohen, Hajdini kishte shtënë me armë në drejtim të tyre, dhe si pasojë e kësaj kishte plagosur dy të dëmtuarit, duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Prokuroria të akuzuari Hajdini e ngarkon me veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.